Kreu u KQZ, Ilirjan Celibashi i ka bërë thirrje partive që të nisin punën për përmbushjen e rekomdimeve të OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore.
Celibashi shkruan se zgjedhjet vendore nuk janë larg duke njoftuar se data e para e mundshme është 16 prill 2023, ndërsa e fundit 14 maj 2023.
Njoftimi i plotë:
“Partitë politike parlamentare dakordësuan krijimin e komisionit parlamentar të posaçëm për reformën zgjedhore. KQZ sjell në kujtesë të këtyre partive domosdoshmërinë për fillimin sa më parë të punës për përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Zgjedhjet e ardhshme vendore nuk janë larg. Data 16 Prill 2023 është data e parë e mundshme për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve. Data 14 Maj 2023 është data e fundit. Përbërja dhe funksionimi i administratës zgjedhore, procedurat e nxjerrjes së rezultatit, financimi, ankimimet dhe sanksionet administrative, fushata në media përfshi edhe atë online përdorimi i fondeve publike në fushatë, digjitalizimi janë disa nga çështjet që KQZ vlerëson se duhet të marrin vëmendjen për reformim prej komisionit të posaçëm parlamentar”, shkruan Celibashi. /albeu.com