Reforma Territoriale, Bylykbashi: Duhet të kalojë me konsensusin e të gjitha palëve politike

PD do të dalë me një draft propozimesh për Reformën Territoriale, pavarësisht se nga grupi i Berishës nuk ka asnjë përfaqësues në Komisionin Parlamentar.

Nënkryetari i PD-së Oerd Bylykbashi, Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore Ivi Kaso, Sekretari për Pushtetin Vendor Ylli Asllani kanë dalë në një konferencë për mediat, ku thanë se Reforma Territoriale nuk mund të jetë produkt i pazareve politike.

Oerd Bylykbashi u shpreh se kjo reformë duhet të kalojë me konsensusin e të gjitha palëve politike.

“Reforma territoriale e 2014 ka rezultuar një dështim i dukshëm, synoi që të reduktonte numrin e administratës, ajo që dimë ne sot është që vetëqeverisja vendore është asfiksuar. Ishte një reformë që u keqpërdor politikisht, PD e ka denoncuar këtë aferë, PD do të bëjë propozimet më të mira në avantazh të një demokracie më të fortë lokale, i mirëfinancuar, i cili është më pranë zgjedhësve, shumë më tepër nga sa është sot.

Në PD është ngritur një grup pune, me ekspertizën më të mirë të qeverisjes vendore. Ky grup pune po përgatit materialet në lidhje me qëndrimet e PD, është ngritur forumi i të zgjedhurve vendorë në PD, për të mbledhur eksperiencat e të zgjedhurve ndër vite që PD ka pasur. Është një qëndrim shumë i qartë yni, që ne do të bëjmë pozimin tonë, pa u bërë një pazar politik.

Ne kemi kapacitetet më të mira për të ofruar një reformë cilësore, brenda afateve kohore, theksoj se kjo është një reformë politike, dhe duhet të jetë konsensuale, dhe jo me konsultime fallso. Konsensusi politik, i bazuar në parime dhe jo në pazare, do të bëjë që reforma të jetë në afatgjatë”, tha Bylykbashi.


Shtuar 20.07.2022 11:37