Çerekfinalja e Kampionatit Botëror mes Norvegjisë dhe Anglisë ka shkuar në pauzë me rezultatin 1-1, pas 45 minutave të para të mbushura me rivalitet dhe momente interesante nga të dyja përfaqësueset.
Të lidhura
None found
Në fillim të takimit, ritmi ishte i matur. Anglia administroi më shumë topin në minutat hapëse, por pa mundur të krijonte raste të qarta për gol.
Mundësia e parë e rëndësishme për anglezët u regjistrua në minutën e 19-të. Jude Bellingham kërceu më lart se të gjithë pas një krosimi në zonë, por tentativa e tij me kokë përfundoi jashtë kuadratit.
Me kalimin e lojës, Norvegjia nisi të merrte kontrollin dhe të afrohej më shpesh pranë portës kundërshtare. Në minutën e 35-të, Erling Haaland iu afrua shumë avantazhit, por Jordan Pickford reagoi në mënyrë të shkëlqyer, duke pritur nga afër goditjen me kokë të sulmuesit norvegjez.
Epërsia e skandinavëve erdhi vetëm një minutë më pas. Martin Odegaard dhuroi një asist të shkëlqyer për Andreas Schjelderup, i cili e ndali topin dhe goditi fort nga jashtë zone. Sfera preku shtyllën dhe më pas përfundoi në rrjetë për 1-0.
Fillimisht, ky gol u vendos në diskutim, pasi gjyqtari Clement Turpin u thirr nga VAR-i për të kontrolluar një faull të mundshëm në aksionin që i parapriu rastit. Pas rishikimit të pamjeve, arbitri vendosi ta quajë të rregullt golin dhe të konfirmojë avantazhin e Norvegjisë.
Ekipi i Ståle Solbakken vijoi të ushtrojë presion dhe në minutën e 39-të iu afrua golit të dytë, kur Alexander Sorloth provoi me një goditje të fortë nga larg, por topi kaloi shumë pranë traversës.
Kur u duk se norvegjezët do ta mbyllnin pjesën e parë në avantazh, Anglia reagoi në kohën shtesë. Në minutat shtesë, Anthony Gordon shërbeu me zgjuarsi për Jude Bellingham, i cili me një goditje të menjëhershme e dërgoi topin në këndin e poshtëm të djathtë të portës, duke vendosur baraspeshën 1-1.
Në këtë mënyrë, pas një pjese të parë të luftuar dhe me raste në të dyja anët, skuadrat u drejtuan për në pushim me gjithçka të barabartë.
