Deputeti Erion Braçe, ka komentuar përplasjet brenda Partisë Socialiste, konkretisht për debatin mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministres Elisa Spiropali, të cilin kreu i qeverisë e ka paralajmëruar se do e përjashtojë nga partia.
Në një intervistë për mediat, Braçe pranoi se shqetësimet e ngritura nga Spiropali janë reale dhe ndahen edhe nga figura të tjera brenda PS-së, përfshirë edhe vetë kryeministrin Edi Rama.
Të lidhura
None found
Sipas tij, thirrjet për riorganizim dhe hapje të partisë janë tregues i qartë se ekzistojnë probleme të brendshme që kërkojnë zgjidhje.
“Zonja Spiropali ka ngritur disa shqetësime që edhe qëndrojnë, edhe për mua qëndrojnë edhe për të tjerë aty, edhe për kryeministrin qëndrojnë. Në momentin që themi që duhet të rienergjizojmë PS, që duhet ta hapim PS, duhet ta bëjmë më demokratike, praktikisht kemi pranuar një seri problemesh që duhen kuruar”, tha ai në “Shqipëria Live”.
Më tej, Braçe pranoi po ashtu se brenda PS ka pabarazi në vlerësimin e kontributeve, por i pyetur nëse Spiropali është një prej këtyre rasteve, Braçe refuzoi të flasë me emra.
Sidorela Gjoni: Dje ka pasur diskutime brenda PS-së. Përplasja në distancë apo edhe ballë për ballë e asaj ajo që ndodh në PS. Keni ju një mendim për zërat e ndryshëm në PS-së, një koment që u diskutua dje ishte ai që mund të ketë bërë Rama drejtuar Elisa Spiropalit: “PS-ja dhe unë jemi investuar tek ti, ti nuk do të flasësh më”.
Erion Braçe: PS ja ka investuar tek ne, jo ne tek PS-ja.
Sidorela Gjoni: Te Spiropali në këtë rast…
Erion Braçe: Unë flas për veten, nuk preferoj të flas për emra. Unë mendova që gjëja nuk po i thuhej vetëm zonjës Spiropali, por edhe mua ose të tjerëve në sallë. Unë vazhdoj të jem deficitar në PS. Në PS ka shumë njerëz që nuk e kanë pasur mundësinë që unë kam pasur. Janë socialistë të thjeshtë, në etapa të ndryshme, por edhe ata kanë pritur nga PS dhe nuk kanë marrë atë që meritonin.
Sidorela Gjoni: Ka të tjerë që kanë marrë më shumë se çfarë kanë merituar?
Erion Braçe: Patjetër që ka plot.
Sidorela Gjoni: A është Spiropali rast i tillë?
Erion Braçe: Nuk jam unë të bëj gjykatësin e kontributeve në PS. Mendoj që është partia që përmes proceseve demokratike t’i japi atë që meritojnë.
