Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka pyetur kryeministrin e Kosovës se “mos është agjent i Serbisë”.
Këtë “dyshim” të shprehur, Haradinaj “e bazoi” në qëndrimin e Kurtit nëpër burgjet e Serbisë.
“A jeni i rekrutuar nga shërbimet sekrete serbe në kohën sa je mbajt në burg, pra a mban Serbia diçka mbi ty me të cilën të mbanë peng sot e kësaj dite, a është Kosova më e rrezikuar nga ti si i rekrutuar nga shërbimet serbe gjatë qëndrimit në burg, apo nga çlirimtarët që janë detyrua me e mbajt pushkën në dorë me luftua për lirinë e vendit”, pyeti Haradinaj.
Sipas tij kjo gjë duhet të sqarohet mirë. “Sepse qarkullojnë gjatë këto”, tha Haradinaj gjatë seancës së Kuvendit të Kosovë. Ky fjalim i Haradinajt vjen pasi Albin Kurti ka deklaruar të martën në Hagë se “Në institucionet e Ballkanit Perëndimor ka kriminelë të luftës”.