Rama sqaron pse ‘taksa e qarkullimit’ nuk do hiqet nga çmimi i naftës: Ndotësit e mëdhenj duhet të paguajnë më shumë

Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama, ka reaguar lidhur me debatin për taksën e qarkullimit të përfshirë në çmimin e karburanteve, duke theksuar se zhvendosja e saj jashtë këtij çmimi nuk do të ulte barrën për qytetarët, por përkundrazi do ta rriste atë.

Ai argumentoi se nëse kjo taksë hiqet nga struktura aktuale, ajo do të transferohet në një formë tjetër, konkretisht si taksë mbi automjetin.

Kryeministri theksoi se sistemi aktual, ndjek parimin që kush konsumon më shumë karburant dhe ndot më shumë, paguan më shumë.

“Taksa e qarkullimit e vendosur në strukturën e çmimit të karburantit, për ata që e dëgjojnë këtë dhe nuk janë të informuar, nuk është problemi se ulet këtu, problemi është se po iku nga këto do shkojë në një vend tjetër. Aty ku e kanë vendet që nuk e kanë në strukturën e çmimit. Nëse shkon diku tjetër do shkojë tek përdoruesi i automjetit në formën e taksës për automjetin. Nga llogaritja që kemi bërë rezultati është shumë i thjeshtë. Nuk besoj se ka përdorues automjeti sot që do preferonte se në vend që ta paguante në strukturën e çmimit për aq karburant sa harxhon, të paguajë 4 fishin e asaj që paguan sot për makinën. Sipas kategorive të makinave të mund të paguajë në ndonjë rast 10-fishin. Ndotësit e mëdhenj duhet të paguajnë më shumë. Në atë strukturë të çmimit nuk janë pensionistët, por janë ata që kanë mundësi ta bëjnë këtë gjë”, tha Rama.


Shtuar 18.03.2026 14:51