Rama “përdor” fjalët e Ndrenikës për të nisur fushatën: Jemi vetëm në gjysmën e rrugëtimit tonë (VIDEO)

Ashtu sikundër dhe është lajmëruar më herët, dita e sotme përkon me hapjen zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 Prillit.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një videomesazh, ku personazhi kryesor dhe narratori është aktori i mirënjohur Robert Ndrenika.

Ndër të tjera, ajo çka Ndrenika thekson është se “jemi vetëm në gjysmën e rrugëtimit tonë”.  Aktori nuk ka lënë pa përmendur as çështjen e Teatrit ku thekson se “do ngrihet aty ku ishte por shumë herë më funksional dhe shumë herë më i bukur nga sa ishte”.

Fjala e Ndrenikës

“Teatri ishte një vend që gjallëronte. Teatri ishte pasioni ynë, ishte shtëpia ime, shtëpia juaj dhe e të gjitha familjeve tona, por tani boshatisja e tij tregon vuajtjet tona në këto kohë që shfaqjet janë ndaluar. E di që këtu do shohim përsëri shfaqje. Jo vetëm këtu por edhe në Teatrin e ri kombëtar që do ngrihet aty ku ishte por shumë herë më funksional dhe shumë herë më i bukur nga sa ishte. Dhe jemi vetëm në gjysmën e rrugëtimit tonë.

Vështirësitë që kaluam nuk na thyen dot, përkundrazi na bashkuan na sollën më pranë njëri-tjetrit.

Ndjemë nevojën për të ndihmuar ata që ishin më shumë në vështirësi, na kanë bërë më të fortë ato vuajtje.

E megjithatë akti ynë i dytë s’ka ardhur ende. E ardhmja jonë është plot shpresë.

Akti i dytë është vizioni i një Shqipërie më të mirë në një ekonomi më të fortë, me paga më të larta, me turizëm që lulëzon, më shumë mundësi për rininë, përkujdesje për të pamundurit dhe njerëzit në ,nevojë një jetë më të mirë për të gjithë ne, është koha që punët e nisura ti shpiem deri në fund.

Të ardhmen që meritojmë kemi filluar ta prekim, së bashku do vallëzojmë sërish, do këndojmë sërish, do ngrihemi përsëri më të fortë se më parë. Nuk ka kohë për pushim,
Shqipëria është e ardhmja jonë”, thuhet në videomesazh.

Në ditën e parë të ndeshjes zgjedhore, siç e ka quajtur vetë, Rama shkruan krahas videos:

“MIRËMËNGJES?dhe për hajër të gjithëve bashkë, për njëri-tjetrin dhe për Shqipërinë, të ardhmen tonë??

*Dita e Parë e ndeshjes zgjedhore”.


Shtuar 25.03.2021 10:03