Rama në Samitin e Diasporës: Shqipëria 2030, një kantier i madh! Ka pluhur, pisllëk dhe zhurmë, jemi rrugës në atë anë të botës ku dielli lind andej nga perëndon

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Samitin e Diasporës, theksoi rolin kyç të diasporës shqiptare në zhvillimin e vendit, duke e cilësuar atë jo si histori emigrimi, por si një vlerë të shtuar për të ardhmen e Shqipërisë.

Sipas tij, shqiptarët jashtë vendit kanë ndërtuar jetë, karrierë dhe sipërmarrje të suksesshme, duke fituar respekt në vendet ku jetojnë përmes kontributit dhe qëndrueshmërisë së tyre, në një kohë kur Shqipëria perceptohej negativisht në arenën ndërkombëtare.

Të lidhura

None found

“Ajo që dukej si hendek sot është një urë. Diaspora nuk është një histori ikje, por vlerë e shtuar e Shqipërisë. Mes dallgës, shqiptarët ndërtuan jetë karrierë e sipërmarrje në vende që nisën ti njohën ata përmes dobisë së tyre, qëndrueshmërisë dhe fisnikërisë, ndërkohë që Shqipëria mbetej një vrimë e zezë në sytë e të tjerëve. Njerëzit e tyre kudo ku ndodhen janë pjesë e një ekosistemi të vetëm të mundësive të rritjes përmes gjuhës. Ky samit është një deklaratë qëllimesh të larta dhe të përbashkëta. Diaspora shqiptare nuk është në periferi të jetës kombëtare të Shqipërisë, por në qendër të saj”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë e cilësoi Shqipërinë si një “kantier të madh”, duke ftuar diasporën të investojë në vend. Ai pranoi se procesi i zhvillimit shoqërohet me sfida, duke e krahasuar me një kantier ku ka “pluhur, zhurmë dhe vështirësi”, por theksoi se progresi është i dukshëm.

“Shqipëria është një kantier i madh që e fton diasporën në investime. Si në cdo kantier, edhe në kantierin e Shqipërisë 2030, ka pluhur, ka pisllëk, ka zhurmë, nganjëherë shurdhuese, por mjafton të kthejmë kokën pas në kohën kur menduam për samitin e diasporës dhe për të vijuar punën kolosale që kemi nisur. Atëherë ky ishte një moment ritakimi në një moment plot shpresë, por edhe plagë të hapura. Ishte një hap i parë për të thirrur fuqinë e diasporës dhe për tu ndjerë më të fortë përballë përpjetës së thepisur që duhet të nqisnim drejt majës kur sot jemi më afër së kurrë ndonjëherë. Sot jemi rrugës së lidhjes përfundimtare me atë anë të botës, ku dielli lind andej nga perëndon”, tha Rama.


Shtuar 14.04.2026 10:38