Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama, u është përgjigjur pyetjeve të adresuara në platformat sociale nga qytetarët, ndërsa vuri në dukje se vota e 11 majit, pa parë përkatësi apo fanelë politike është shumë e rëndësishme për misionin e integrimin e Shqipërisë në familjen evropiane.
“Është shumë e thjeshtë, sepse futja në BE është një proces i cili sot është shumë konkret dhe për herë të parë qysh se ne kemi dalë nga errësira e komunizmit ka një përputhshmëri të plotë mes dëshirës sonë për të hyrë në BE dhe dëshirës së tyre për të na marrë në BE.
Në procesin e integrimit që nga viti 1990 pas rënies së Murit të Berlinit e këtej të vendeve ish-komuniste, ka pasur momente që dera është hapur dhe ka pasur faza kur dera është mbyllur për arsye të politikës së brendshme të BE, natyrisht”, tha Rama.
AKUZAT
Kryeministri Edi Rama, ka vijuar edhe sot me rubrikën “Sy m’sy” ku çdo të martë e të enjte zhvillon një bashkëbisedim me qytetarët nëpërmjet komenteve.
“Nëse fitoni mandatin e 4 dhe Shqipëria nuk hyn në Europë deri në 2029 dhe juve ju mbaron mandati në 2029, a do të kërkoni një mandat të pestë? Dhe një buzëqeshje e gajasur.
Dritan unë nuk jam këtu të bëj humor, e dhe bëj dhe kjo i bezdis kundërshtarët e mi. Më vjen keq por nuk bëj dot ndryshe. Unë nuk shaj nuk ngre e ul njerëzit o kriminel o mafioz o qen bir qeni. Më pëlqen të përdor satirën.
Para disa ditës postova një episod i një krijimi të të rinjve që ma dërguan me dëshirë ta postoj, një teatër kukullash i lezetshëm sipas meje, për të dhënën një mesazh dhe është sulmuar faqja nga deputetët e subjektit të ri politik, me mendje të vjetër që nuk janë në mendje të kuptojnë satirën. Kush nuk e përballon dot nuk duhet të merren me politikë”, tha Rama.