Rama kritikon ministrin e Drejtësisë: Si ka mundësi Ulsi që SPAK s’ka mjete për regjistrim, ku jemi këtu ne?

Këtë të mërkurë, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kryeminsitri Edi Rama, ka kritikuar ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, për paratë për përmirësimin e standardeve në institucionet e drejtësisë.

Rama u shpreh se SPAK përdor metoda të vjetra në marrjen në pyetje të personave, pasi nuk kanë pajisje regjistrimi, edhe pse qeveria ka dhënë fonde.

“Kemi dhënë fonde që nuk janë parë kurrë për drejtësinë dhe këta nuk kanë akoma mjetet për të regjistruar intervistat për personat që marrin në pyetje. I mbajnë në pyetje për orë të tëra dhe në fund të japin një copë letër. Dhe janë akoma te ajo (makina e shkrimit)”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se ka dy vjet që i ka thënë ministrit të Drejtësisë, që t’i propozoi Prokurorisë Speciale Inteligjencën Artificiale në të gjithë proceset.

“Jo të rri me orë të tëra e t’i japin një letër, firmos këtu. Këto janë standarte, jo kërkesa personale”, tha ai.

Rama: Si ka mundësi Ulsi, ministër i drejtësisë, e ju të tjerët drejtësisë, që kjo shumicë ka miratuar fonde. Dy fonde janë në buxhetin e shtetit që janë jashtë trajtoketores normale, fondi i mbrojtjes dhe drejtësisë.

Paga që nuk krahasohen me të askujt këtu, fonde që nuk janë parë kurrë për drejtësinë dhe këta nuk kanë akoma mjetet për të regjistruar intervistat për personat që marrin në pyetje.

I mbajnë në pyetje për orë të tëra dhe në fund të japin një copë letër. Dhe janë akoma te ajo (makina e shkrimit). Se kam qenë dhe unë njëherë dikur, unë flisja e njëri i binte makinës.

Ku jemi këtu ne? Në çdo film, sa herë që dikush shkon atje te hetuesit, e para i tregohen të drejtat dhe i shtypet regjistrimi. Ne këtu në fund të ditës kemi kusurin e baltës më të madhe, por kemi dhe mikrofonin.

Si mundemi ne apo kushdo qoftë. Kur futesh atje je në një republikë tjetër? Ai që ke përballë veç që është Prokuror është mbi ty? Nuk jeni të barabartë, por një mish që mund të shqyesh sipas oreksit të njërit apo tjetrit?

Ka dy vjet që i kam thënë ministrit të Drejtësisë, që është mundësi se siç po bëjmë revolucion dixhital me shërbimet, integrimin, Inteligjencën Artificiale, i kam thënë propozoi Prokurorisë Speciale Inteligjencën Artificiale në të gjithë proceset, jo më këto elementaret, të regjistrohet dhe të zbardhët. Jo të rri me orë të tëra e ti japin një letër e firmos këtu. Këto janë standarte, jo kërkesa personale.


Shtuar 12.02.2025 10:26