LIVE/ Rajoni në prag të “shpërthimit”, dështon diplomacia? Biden zbret në Izrael, e pret vetëm Netanyahu pas masakrës me mbi 500 të vrarë në spitalin e Gazas

Presidenti amerikan Biden sapo ka mbërritur në Izrael për një takim me kryeministrin izraelit Netanyahu, i cili është i vetmi që do ta presë pas bojkotit nga liderët e tjerë arabë.

Pas shpërthimit në spitalin Al Ahli të Gazës, liderët arabë të rajonit kanë anuluar një takim me Joe Biden. Takimi do të mbahej mes Presidentit të SHBA-së, Mbretit Abdullah të Jordanisë, Presidentit egjiptian Abdul Fattah al-Sisi të Egjiptit dhe Mahmoud Abbas të Palestinës.

Megjithatë, mbrëmë vonë, ministri i jashtëm i Jordanisë tha se takimi mund të mbahet vetëm kur palët të bien dakord për t’i dhënë fund “luftës dhe masakrave kundër palestinezëve”, duke fajësuar Izraelin për shpërthimin në spital.

Ushtria izraelite thotë se shpërthimi u shkaktua nga një raketë që i përkiste një grupi tjetër, Xhihadi Islamik Palestinez, grupi i dytë më i madh militant në Rripin e Gazës.

Në një postim në Twitter, Biden tha se ishte “i indinjuar dhe thellësisht i pikëlluar” nga shpërthimi – dhe udhëzoi ekipin e tij të sigurisë kombëtare që “të vazhdojë të mbledhë informacione për atë që ka ndodhur saktësisht”.

Në një analizë të shkurtër, Jeremy Bowen i BBC e cilëson këtë si vizitën më të vështirë të Biden në rajon.

Ai shkruan: ‘Ndërhyrja personale e Joe Biden ishte gjithmonë një bast. Shkatërrimi i spitalit Al Ahli e bën atë edhe më të vështirë. Ai dëshiron njëkohësisht të mbrojë dhe të mbështesë Izraelin dhe të lehtësojë katastrofën humanitare midis civilëve të Gazës.

Izraeli këmbëngul se spitali u shkatërrua nga Xhihadi Islamik Palestinez. Miliona palestinezë dhe të tjerë në Lindjen e Mesme nuk do ta besojnë këtë. Jordania, Egjipti, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë ndër vendet që dënojnë Izraelin.

Pyetja tani është nëse zemërimi i shkaktuar nga sulmi rrit shanset për një luftë më të gjerë”.

Ndërkohë, gazetari Paul Adams shkruan se nuk pritet ndonjë arritje e madhe nga vizita e Presidentit Biden në Izrael për mënyrën se si po shkojnë gjërat.

Situata për vizitën e tij nuk mund të ishte më keq. Izraeli dhe palestinezët akuzojnë njeri-tjetrin për masakrën ne spitalin e Gazas.

Mendohet se rreth 500 njerëz u vranë, shumica ishin pacientë dhe njerëz të strehuar aty duke menduar se ishin të sigurt.

Zyrtarët izraelitë këmbëngulin se masakra u shkaktua nga një raketë palestineze e cila shpërtheu gabimisht. Ata po premtojnë të ofrojnë prova për të mbështetur pretendimin e tyre. Në të gjithë rajonin, protestuesit e tërbuar kanë dalë në rrugë“.

Në Bregun Perëndimor, palestinezët u përleshën me forcat e tyre të sigurisë, duke hedhur gurë dhe duke brohoritur kundër Abasit, të cilin shumë e fajësojnë se nuk mund t’i mbronte. Por protesta pati edhe në Liban, Jordani, Libi dhe Iran.

Duke folur në Pekin, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar, për të lehtësuar atë që ai e quajti “vuajtjen epike” që po shohim.


Shtuar 18.10.2023 09:57