Një ngjarje e rëndë ka ndodhur brenda Aeroportit Ndërkombëtar Nënë Tereza, ku disa qytetarë kanë dhunuar efektivët e policisë.
Ngjarja bëhet më e rëndë për faktin se aeroporti dhe policia kanë tentuar ta mbajnë të fshehtë. Pamjet që shikoni në video janë filmuar në fillim të shtatorit.
Të lidhura
Disa qytetarë duken duke dhunuar efektivët e policisë, ndërkohë që ndaj tyre nuk është marrë asnjë masë.
Familja ishte duke udhëtuar drejt Turqisë. Një prej grave, e shoqëruar me fëmijë, ka kërkuar të kalojë portën drejt avionit me prioritet, duke mos pritur në radhë.
Kjo gjë është kundërshtuar nga stafi i aeroportit Nënë Tereza, i cili i ka shpjeguar zonjës se ky shërbim është me pagesë.
Në këtë moment ka nisur një debat mes familjarëve dhe punonjësve të kompanisë. Më pas, stafi i aeroportit ka njoftuar policinë, e cila ka mbërritur në vendngjarje dhe ka kërkuar t’i largojë familjarët për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit. Në ato momente, djemtë e kryefamiljarit kanë shtyrë dhe goditur me grushte efektivët e policisë.
Jo vetëm kaq, por pas disa minutash ata janë lejuar të vazhdojnë udhëtimin e tyre, duke mos u proceduar apo shoqëruar në komisariat, ndërkohë që e gjithë ngjarja është mbajtur e fshehtë nga aeroporti.


