Qeveria ka miratuar projekt-buxhetin për vitin 2024. Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ervin Mete pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave ka prezantuar projektbuxhetin, ku thekson se 39 mld lekë do shkojnë për rritjen e pagave, me synimin që brenda vitit 2024 të arrihet qëllimi për rrogën mesatare 900 euro.
Duke u bazuar në raportin e FMN, Mete deklaroi se ekonomia shqiptare shfaqet si një nga ekonomitë më rezistente të rajonit, dhe tani ka hyrë në një fazë të re.
Ndërkaq, për vitin e ardhëm, parashikohet një rritje ekonomike prej 3.8%.
Përveç qëllimit për rritjen e rrogës mesatare, do të indeksohen dhe pensionet.
Ervin Mete: Sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kemi miratuar Projektbuxhetin 2024, i cili vendos një nivel të ri lidhur me planifikimin e shpenzimeve publike që tejkalojnë 7 miliardë euro.
Projektbuxheti mbështet zhvillimin e mëtejshëm ekonomik, nxitjen e punësimit dhe mbrojtjen sociale, duke synuar në të njëjtën kohë balancën e duhur të ekuilibrave makroekonomikë dhe fiskalë.
Siç vlerësoi sot edhe FMN, ekonomia shqiptare shfaqet si një nga ekonomitë më rezistente të rajonit, duke hyrë tashmë në një fazë te re. Konjuktura aktuale e favorshme krijon mundësi për të shtyrë përpara një seri reformash, për të siguruar rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Në projeksionet tona, ne parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.8% për vitin e ardhshëm, një balancë primare pozitive, konsolidim të mëtejshëm fiskal, rritje të punësimit dhe ulje të inflacionit.
Ambicja jonë është që siç kemi qënë një nga ekonomitë më rezistente të rajonit, të synojmë të jemi një nga destinacionet kryesore në rajon sa i përket turizmit, duke synuar në të njëjtën kohë të ofrojmë punësim cilësor dhe ndër pagat më të larta në rajon.
Projektbuxheti 2024 i përgjigjet kësaj ambicjeje.
Duke mbështetur rritjen e pagave dhe duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur nga qeveria për të arritur një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj. Projektbuxheti parashikon një fond prej 11 miliardë lekësh për rritjen e mëtejshme të pagave të mjekëve të përgjithshëm, infermierëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë, mësuesve në arsimin parauniversitar, forcave të rendit, të mbrojtjes dhe niveleve zbatuese të administratës qëndrore dhe vendore. Në total, efekti i përgjithshëm në buxhet për financimin e kësaj reforme madhore në sistemin e pagave kap vlerën 39 miliardë lekë.
Gjithashtu financohet indeksimi i pensioneve, i cili në dy vitet e fundit kap shifrën rreth 25 miliardë lekë. Vijon mbështetja për mbrojtjen sociale dhe shtresat në nevojë, duke alokuar rreth 33%, 1/3 e shpenzimeve të përgjithshme publike për skemën e pensioneve, ndihmën ekonomike, pagesën e paaftësisë, pagesën e papunësisë, asistencën sociale, ish-të përndjekurit, ish-pronarët, etj.
Financimi i investimeve publike të programuara për vitin 2024 do të jetë mbi 5% të PBB-së, duke mbështetur në vazhdimësi rritjen ekonomike, për të zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë dhe konektivitetin, si edhe duke nxitur punësimin. Paketa e investimeve mbështet infrastrukturën kombëtare dhe vendore, për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesës në rritje të turizmit.
Projektbuxheti vijon të financojë procesin e rindërtimit, në vijim edhe të mbështetjes së dhënë përmes Aktit Normativ.
Respektohet niveli i kërkuar lidhur me angazhimet e anëtarësimit në NATO, me 2% të PBB-së në vitin 2024 dhe kjo arrihet për herë të parë.
Rritet ndjeshëm buxheti në dispozicion për njësitë e pushtetit vendor, ku për vitin 2024 shpenzimet parashikohen të jenë 71 miliardë lekë, ose 10.4% më shumë se buxheti i vitit 2023. Pjesë e rëndësishme e buxhetit të pushtetit vendor është granti i qeverisjes qëndrore për njësitë vendore në masën 36.5 miliardë lekë./Albeu.com