Nga Oleksiy Danilov “Worldcrunch”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Kiev – Kohët e fundit pata një bisedë shumë interesante dhe sipas mendimit tim shumë domethënëse me një gazetar perëndimor. Pyetjet por edhe reagimi i tij ndaj përgjigjeve të mia, janë një shembull i përsosur i një linje të re “paqebërëse”, që po fillon të zhvillohet në hapësirën mediatike perëndimore.
Unë nuk pretendoj se gazetarët bëhen qëllimisht bashkëpunëtorë të fushatës informative ruse. Por që kjo linjë e re shkon kryesisht në favor të Rusisë është një fakt i padiskutueshëm.
Ndërsa diskutoja ngjarjet e luftës, deklarova ndër të tjera se Ukraina nuk do të ulet kurrë në tryezën e bisedimeve me vrasësin e më shumë se 500 fëmijëve ukrainas dhe se nga ana tjetër ne jemi të indinjuar dhe nuk mund ta kuptojmë sesi vendet e tjera mund të komunikojnë me një kriminel lufte.
Gazetari në fjalë kundërshtoi, duke argumentuar se vazhdimi i luftës do të shkaktonte akoma më shumë viktima.
Për të, ishte e rëndësishme të kujtohej se Vladimir Putin mund të përdorte në çdo moment arsenalin e tij bërthamor. Si rezultat i një arsyetimi të tillë “logjik”, gazetari këmbënguli se domosdoshmëria më e dukshme ishte gjetja e një kompromisi.
Komoditet dhe siguri
Përgjigja ime e parë për një ide të tillë, ishte se nëse bota do të kishte reaguar në kohë ndaj sulmit të Adolf Hitlerit ndaj Polonisë në vitin 1939, nuk do të kishte rreth 20 milionë viktima të Luftës së Dytë Botërore. Por nuk mund të bësh kompromis me një agresor; ata duhet të dënohen pa asnjë rezervë.
Por, dhe kjo është ndoshta më e rëndësishmja, pyetje dhe arsyetime të tilla në lidhje me përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore nga Putin janë shumë manipuluese. Ato nënkuptojnë se një vend që nuk posedon armë bërthamore, nuk mund dhe nuk duhet t’i rezistojë atij që ka armë të tilla.
Sipas kësaj logjike, një vend që është objekt i një sulmi nga një shtet bërthamor, provokon kërcënimin e një apokalipsi bërthamor me vetë rezistencën e tij. Dhe në një rast të tillë, objekt i dënimit nuk është agresori, por viktima.
Ajo që ata thonë është: “Dorëzohuni dhe mos rezistoni. Ne nuk kemi nevojë për lirinë tuaj, por për rehatinë dhe sigurinë tonë”. Ata do të përpiqen të popullarizojnë sa më shumë këtë opinion për të refuzuar mbështetjen për Ukrainën, e cila me veprimet e saj, rezulton sipas tyre se po e “provokon” vazhdimisht Rusinë.
Një logjikë mashtruese
Ju mund të thoni se një qasje e tillë është iluzore dhe e pakuptimtë. Megjithatë është fakt që një qasje e tillë është karakteristikë e një numri të caktuar përfaqësuesish të sferës politike perëndimore, e cila për fatin tonë, është ende në pakicë. Por besoj se kjo ide do të promovohet tani aktivisht nga Kremlini.
Për të parandaluar që të bëhet dominuese kjo logjikë e rreme dhe mashtruese, ne duhet të refuzojmë pa u lodhur, me vendosmëri dhe në mënyrë të vazhdueshme, pranimin e çdo lloj shantazhi bërthamor. Ne nuk kemi frikë nga e ashtuquajtura “ushtria nr.2 e botës”, as nga Putini, miu i bunkerit dhe klubi i tij bërthamor. Ne kemi frikë vetëm nga një gjë: të humbasim lirinë dhe do t`i shkojmë deri në fund luftës për këtë.
Jo vetëm një problemi i Kievit
Bota e pa për një kohë të gjatë, dhe nëse nuk e ndihmoi qëllimisht, nuk e pengoi rritjen e “përbindëshit” rus. Ukraina u detyrua t’i dorëzonte Rusisë arsenalin e dytë më të madh bërthamor në botë, për ta armatosur me raketat tona ushtrinë ruse të përdhunuesve.
Detyra jonë është të krijojmë një mekanizëm që do ta mbrojë njerëzimin nga kërcënimi i çmendurisë bërthamore. Bota ishte një donator i teknologjive moderne, një blerës i naftës dhe gazit, gjë që u bë bazamenti i financimit të autoritarizmit të Putinit. U korruptuan elitat ndërkombëtare dhe u hapën dyert e oligarkisë ruse.
Ukraina nuk e ushqeu këtë përbindësh në Moskë. Por kjo është tashmë një çështje e historisë, dhe detyra aktuale është të krijojmë një mekanizëm që do ta mbrojë njerëzimin nga kërcënimi i çmendurisë bërthamore. Prandaj, marrëzia bërthamore e Kremlinit nuk është problem vetëm për Ukrainën, por edhe për botën.
Shënim:Oleksiy Danilov, Sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës.