Presidenti rus, Vladimir Putin, ka arritur të shtunën në Krime, në një vizitë për të shënuar përvjetorin e nëntë të aneksimit të këtij gadishulli ukrainas, ka raportuar media shtetërore ruse.
Televizioni shtetëror i ka publikuar disa pamje të Putinit, duke ecur me një grup zyrtarësh.
“Presidenti ynë, Vladimir Vladimirovich Putin, di si të na besafojë. Në mënyrë të mirë”, ka thënë guvernatori lokal, Mikhail Razvozhayev.
Ai ka thënë se Putin fillimisht është planifikuar që të marrë pjesë virtualisht në hapjen e një shkolle arti për fëmijë.
“Por, Vladimir Vladimirovich erdhi fizikisht. Pas timonit. Sepse në një ditë të tillë historike, presidenti është gjithmonë me Sevastopolin dhe njerëzit e Sevastopolit”, ka thënë ky zyrtar i emëruar nga Moska.
Rusia e ka pushtuar Gadishullin e Krimesë më 2014, tetë vjet para nisjes së luftës në pjesën tjetër të Ukrainës.
Ukraina ka thënë se do të luftojë për ta dëbuar Rusinë nga Krimeja, dhe gjithë pjesa tjetër e territorit që e ka pushtuar Rusia përgjatë një viti luftë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel