Vladimir Putin dhe Xi Jinping janë takuar sot për herë të parë në gati shtatë muaj në Samarkand të Uzbekistanit, në margjinat e samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait që po mbahet atje më 15 dhe 16 shtator me pjesëmarrjen e liderëve nga gjithsej rreth 15 vende.
Kujtojmë se hera e fundit që liderët e Rusisë dhe Kinës u takuan personalisht ishte në Pekin shkurtin e kaluar, para pushtimit rus të Ukrainës. Sipas asaj që raporton agjencia Reuters, presidenti rus Vladimir Putin nënvizoi sot, duke iu drejtuar liderit kinez Xi Jinping, se Moska mbështet politikën “ Një Kinë ” kundër “ provokimeve ” të Shteteve të Bashkuara në ngushticat e Tajvanit.
Udhëheqësi rus pohoi gjithashtu se ai vlerëson ” ëndrimin e balancuar ” që Kina ka marrë për çështjen e Ukrainës .
“Ne e vlerësojmë shumë pozicionin e ekuilibruar të miqve tanë kinezë në lidhje me krizën në Ukrainë. Ne i kuptojmë pyetjet dhe shqetësimet e tyre lidhur me këtë çështje. Gjatë takimit të sotëm, sigurisht që ne do të shpjegojmë qëndrimin tonë ”, tha Putin në fillim të takimit të tij me Xi Jinping.
Kina do të punojë me Rusinë për të “rrënjosur stabilitetin dhe energjinë pozitive në një botë kaotike”, tha sot presidenti kinez Xi Jinping.
Për udhëheqësin kinez, takimi i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait është një mundësi që ai të demonstrojë ndikimin që Kina vazhdon të ushtrojë në pjesën më të madhe të globit.
Për presidentin rus, nga ana tjetër, takimet dyditore që do të ketë në datat 15-16 shtator do të jenë një mundësi për të vërtetuar se nuk është i izoluar në skenën ndërkombëtare pavarësisht luftës në Ukrainë dhe asaj që ka ndodhur në gjashtë muajt e fundit për sa i përket sanksioneve.
Megjithatë, shumë analistë nënvizojnë se, përkundër asaj që raportohet në nivel retorikë nga lidershipet në Moskë dhe Pekin, Kina nuk i ka mbështetur praktikisht rusët në muajt e fundit aq sa këta të fundit do të kishin dashur.