Pushtimi rus i Ukrainës, Xhaçka: Asgjë nuk do jetë si më parë

Në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, është organizuar një takim i posaçëm me përfaqësues nga trupi diplomatik akredituar në Tiranë, për t’i informuar mbi rolin dhe qëndrimin e Shqipërisë ndaj agresionit rus mbi Ukrainën. Po ashtu dhe për të diskutuar mbi thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen, në mbështetje të Ukrainës.

E pranishme në këtë takim ishte edhe ambasadorja e SHBA, Yuri Kim e cila është shprehur se SHBA vlerëson angazhimin e Shqipërisë për çështjen e Ukrainës.

“Teksa shikoj rreth tryezës, po përpiqem të dalloj se çfarë na bën të gjithëve së bashku. Shumë nga ne janë anëtarë të NATO-s. Shumë nga ne janë anëtarë të BE-së. Disa nga ne aspirojnë të bëhen pjesë e BE-së. Por të gjithë ne sigurisht e pranojnë që jemi në një moment historik. Që kërcënimi, sulmi dhe pushtimi i Ukrainës nga Rusia përbën një kërcënim për të gjithë ne dhe për sistemin ndërkombëtar që ne dhe paraardhësit tanë kemi punuar për dekada për ta ndërtuar nga rrënojat e Luftës së Parë Botërore dhe Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu është shumë e qartë se në kryeqytetet tona ne po i përgjigjemi këtij momenti. Po ngrihemi në lartësinë e këtij momenti në mënyra që nuk i kishim pritur. Dhe mendoj se jemi të gjithë të befasuar me veten – për shpejtësinë, vendosmërinë, këmbënguljen, seriozitetin dhe sakrificën; kjo nuk vjen pa sakrifica – me mënyrën se si ne po i përgjigjemi, duke i dalë në mbrojtje Ukrainës, por edhe duke dalë në mbrojtje të mënyrës sonë të jetesës. Ju shpreh vlerësimin e SHBA-ve për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit si bashkëpenëmbajtëse jona për çështjen e Ukrainës, shpreh vlerësimin për të gjithë ju, për bashkëpunimin dhe kontributin tuaj. Dhe përsëri e kuptojmë se bashkëpunimi dhe kontributi juaj, duke përfshirë edhe ndihmën humanitare apo ndihmën në fushën e mbrojtjes apo sanksionet nuk janë pa kosto. Por besoj se të gjithë jemi në një mendje se ia vlen. Në fund, sigurisht nënvizojmë solidaritetin tonë të plotë me Ukrainën dhe popullin e Ukrainës në këto momente të kësaj sfide historike. Ne jemi me ju. Ne do të vazhdojmë të jemi me ju.” tha Yuri Kim. .

Nga ana tjetër ministrja Xhaçka u shpreh se lufta që ka ardhur në Evropë është e paprovokuar duke theksuar se Shqipëria është në krye të përpjekjeve për të mbështetur Ukrainën.

Fjala e plotë e Xhaçkës:

Të nderuar Ambasadorë,

Të dashur miq,

Ditë të mbarë për të gjithë ju dhe faleminderit që erdhët në një njoftim kaq të shkurtër. Mendova se ishte e dobishme të takohem sot dhe të diskutojmë përpjekjet tona për të mbështetur miqtë tanë ukrainas. Unë do të doja t’ju bëja një përmbledhje të shkurtër të asaj që po bën Shqipëria dhe të diskutojmë mënyrat se si ne të gjithë mund të punojmë për të rritur në shkallën maksimale përpjekjet tona, veçanërisht kur bëhet fjalë për diplomacinë.

Këto janë kohë shumë të vështira dhe shumë sfiduese. Kohë shumë të dhimbshme dhe tragjike gjithashtu që shpresonim se nuk do t’i shihnim më kurrë në kontinentin evropian. Për ne në Ballkanin Perëndimor kjo është veçanërisht e dhimbshme dhe dhimbja e miqve tanë ukrainas krijon një rezonancë në një mënyrë veçanërisht të fortë sepse ne ende i kujtojmë imazhet e tmerrshme nga Bosnja dhe Hercegovina dhe nga Kosova, luftërat e fundit në Evropë siç menduam. Jo vetëm kaq, por si një rajon që është parë prej kohësh nga Rusia si një një zonë e pambrojtur nga BE ndaj sulmeve, si një rajon që ka përjetuar ndërhyrjen ruse dhe përpjekjet për të fermentuar tensionet dhe konfliktet, ne ndjehemi të shqetësuar për cfarë po ndodh.

Lufta ka mbërritur në Evropë. Lufta ka mbërritur në Evropë pa arsye racionale. Lufta ka ardhur sepse Rusia, ose më mirë presidenti i saj, dhe lidershipi i saj – aq sa udhëheqja e saj mund të bëjë gjithçka pa e thënë presidenti – vendosën se nuk mund të jetonin me një Ukrainë paqësore dhe demokratike, si fqinjin e tyre dhe ndërmorën një luftë të paligjshme agresioni ndaj një fqinji paqësor në shkelje të hapur të të gjitha ligjeve dhe normave që drejtojnë sjelljen e qytetëruar dhe sistemin e bazuar në rregulla ndërkombëtare. Në të vërtetë, mund të thuhet se dëshira për të shkatërruar sistemin e bazuar në rregulla është një motivues i fortë për Vladimir Putin.

Rusia zgjodhi të shkojë në luftë dhe unë besoj fuqimisht se ne të gjithë duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta bërë këtë zgjedhje të tmerrshme sa më të kushtueshme për Rusinë që të mundemi.

Jam krenare që në këtë përballje mes demokracive dhe diktaturës, mes një populli të lirë evropian dhe një tirani rus, Shqipëria po luan një rol të rëndësishëm, duke e tejkaluar peshën e saj dhe duke dhënë një kontribut të rëndësishëm veçanërisht në fushën e diplomacisë.

Nga OSBE-ja dhe NATO-ja ku propozimet tona kanë qenë konkrete dhe të guximshme, te Këshilli i Sigurimit i OKB-së ku jemi bashkëmbajtës me Shtetet e Bashkuara, vendi ynë është në krye të përpjekjeve për të mbështetur Ukrainën dhe për të rritur kostot dhe izolimin për Rusinë.

Siç mund ta keni ndjekur në media në këtë moment, Shqipëria është rreshtuar plotësisht me BE-në dhe po zbaton në territorin e saj masat kufizuese të miratuara nga Këshilli Evropian kundër Rusisë për cenimin ose kërcënimin e integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës. Aktualisht jemi duke plotësuar bazën ligjore për zbatimin e këtyre masave.

Siç e dini të gjithë ekzistojnë dy kategori kryesore të sanksioneve, ekonomike dhe individuale. Kemi miratuar sanksione në lidhje me ngrirjen e pasurive të 654 individëve dhe 52 subjekteve. Individë, duke filluar nga Presidenti i Rusisë, Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Federatës Ruse, të cilët mbështetën njohjen e menjëhershme nga Rusia si subjekte të pavarura të dy zonave Donetsk dhe Luhansk, anëtarë të shtetit rus Duma, e cila ratifikoi vendimin e qeverisë për Traktatin e Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Ndihmës së Ndërsjellë ndërmjet Federatës Ruse dhe këtyre dy subjekteve.

Gjithashtu, është vendosur ndalimi i hyrjes në territorin shqiptar për personat e listuar nga BE, ndërsa në lidhje me politikën tonë të vizave ndaj Rusisë po shqyrtojmë anulimin e të gjitha marrëveshjeve për lëvizjen e diplomatëve dhe zyrtarëve rusë dhe biznesmenët.

Ne i jemi bashkuar gjithashtu sanksioneve ekonomike të BE-së që përfshijnë masa kufizuese në financa, energji, transport dhe teknologji.

Dje, ne gjithashtu u rreshtuam dhe filluam miratimin e legjislacionit për zbatimin e vendimit të Këshillit për masat e mëtejshme kufizuese në lidhje me financat dhe aviacionin. Kufizimet përfshijnë:

Ndalimi i çdo transaksioni me Bankën Qendrore të Rusisë; si dhe
mohimi i lejes për t’u ulur, për t’u ngritur nga, ose për të fluturuar mbi territoret e BE-së për çdo avion të operuar nga transportuesit ajrorë rusë, duke përfshirë si transportues marketingu, çdo avion të regjistruar në Rusi dhe për avionë jo të regjistruar në Rusi që janë në pronësi ose të autorizuar ose të kontrolluar ndryshe nga një person juridik ose fizik rus.
Më tej, dje Shqipëria iu bashkua masave kufizuese që synojnë Bjellorusinë për rolin e saj në këtë luftë. Së fundmi, Shqipëria nuk do të marrë pjesë më në asnjë aktivitet sportiv me të cilin përballet Federata Ruse derisa të përfundojë pushtimi i Ukrainës.

Aty ku roli i Shqipërisë ka qenë veçanërisht i spikatur në këtë përpjekje për të mbështetur Ukrainën është në Këshillin e Sigurimit ku sapo kemi filluar mandatin tonë dy vjeçar. Si bashkëmbajtës për Ukrainën me Shtetet e Bashkuara, ne kemi bashkuar forcat me vende të tjera me të njëjtin mendim për të paraqitur dhe negociuar një projekt-rezolutë që i kërkon Federatës Ruse të tërheqë forcat e saj të armatosura nga territori i Ukrainës dhe t’i japë fund agresionit kundër atij vendi.

Përpjekjet tona të përbashkëta dhanë një rezultat pozitiv: projekt-rezoluta e iniciuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria u bashkësponsorizua nga 81 shtete anëtare, duke konsoliduar kështu një front të gjerë dhe të unifikuar në mbështetje të Ukrainës.

Natyrisht, vetoja e Rusisë bllokoi miratimin e rezolutës në Këshillin e Sigurimit. Por siç e dini, ky nuk ishte fundi i rrugës dhe rezoluta po diskutohet me të gjithë botën në Asamblenë e Përgjithshme, ku jemi optimistë, se falë përpjekjeve të të gjitha vendeve tuaja dhe shumë të tjerave, kjo rezolutë do të kthehet në një ushtrim që demonstron përkushtimin e botës ndaj Kartës së OKB-së dhe ndaj parimeve bazë të sistemit të bazuar në rregulla që ne kemi rënë dakord të respektojmë. Dhe, duke demonstruar për të gjithë për të parë se sa e izoluar është Rusia në këtë akt të paligjshëm agresioni.

Gjithashtu kam udhëzuar të gjitha ekipet shqiptare, në OKB, OSBE, Këshillin e Evropës, Këshillin e të Drejtave të Njeriut dhe çdo forum tjetër ndërkombëtar apo rajonal, që të miratojnë të njëjtën qasje proaktive në mbështetje të Ukrainës dhe në denoncimin e Rusisë. Besoj se Federatës Ruse dhe udhëheqjes së saj duhet t’i bëhet e qartë se asgjë nuk do të jetë siç ishte, asnjë sektor asnjë fushë veprimtarie nuk mund të jetë biznes si zakonisht derisa ky agresion të ndalet dhe trupat ruse të largohen nga Ukraina.

Shqipëria po bën gjithçka që mundet, në maksimumin e aftësive dhe kapaciteteve të saj. Siç e di unë, edhe vendet tuaja po e bëjnë. Arsyeja pse ju ftova këtu sot është të eksploroni se çfarë mund të bëjmë më shumë, si mund ta përmirësojmë bashkëpunimin tonë edhe më shumë dhe si mund të krijojmë më shumë sinergji në çdo nivel teksa trajtojmë këtë krizë që nuk kërcënon thjesht Ukrainën, por të gjithë ne.

Dhe në lidhje me këtë, dua të tërheq vëmendjen tuaj për rajonin tonë dhe mundësinë e tensioneve këtu.

Për një kohë të gjatë ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë, veçanërisht në BE, të jenë më strategjikë në marrëdhëniet e tyre me Ballkanin Perëndimor. Ngjarjet në Ukrainë janë dëshmi se shqetësimet tona ishin të justifikuara. Kjo e bën shumë të qartë se kostoja e izolimit është shumë më e lartë se kostoja e integrimit.

Mund të shpresoj vetëm se pas pasojave të cenimit të Ukrainës diçka do të ndryshojë në dinamikën e marrëdhënieve mes nesh. Se do të ketë më shumë fokus dhe më shumë urgjencë për të ecur përpara me procesin e integrimit dhe mbi të gjitha për të ecur përpara dhe për t’u përballur me çdo përpjekje ruse për të fermentuar telashet.

Jam e kënaqur që sinjalet që po marrim tani tregojnë se BE-ja është e fokusuar tani siç nuk ka qenë për një kohë. Jam e kënaqur sepse e di se nëse BE-ja është e bashkuar dhe e përkushtuar, nëse tregon të njëjtën vendosmëri siç po tregon në mbështetje të Ukrainës tani, rajoni ynë, Ballkani Perëndimor nuk do të jetë më i prekshëm ndaj përpjekjeve për të nxitur telashe dhe grindje dhe do të përfitojë siguria e Evropës në tërësi.

Ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov

Shkëlqesia juaj, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Znj.Olta Xhaçka,

Shkëlqesitë tuaja, të nderuar kolegë, ambasadorë,

Është një nder i madh të jem në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme sot, për të marrë pikëpamjet e disa prej vendeve që mbështesin pa kushte Ukrainën në përpjekjen e saj ndaj agresorit. Jam i sigurt se të gjithë ju po i ndiqni nga afër ngjarjet në Ukrainë dhe keni shumë informacion, për të kuptuar të gjitha rreziqet jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë Evropën dhe botën. Por unë dua t’ju them atë çfarë nuk është në lajmet e para: ky është shpirti i popullit dhe ushtrisë ukrainase, që të bashkuar me presidentin po mbrojnë atdheun e tyre deri në fund. Nga dje, Presidenti i Ukrainës ka një mbështetje prej 90%. Ekonomia dhe sektori bankar veçanërisht, po funksionon siç duhet. Pavarësisht provokimeve, sistemet bazë të shtetit tonë të madh dhe sektori i energjisë po funksionojnë qëndrueshëm. Megjithatë, të paktën qindra mijëra ukrainas kanë lënë tashmë shtëpitë e tyre. Dhjetëra mijëra refugjatë ukrainas kanë mbërritur në Moldavi, duke kaluar përmes pikave kufitare nga Ukraina në Poloni. Qytetarët tanë janë mirëpritur nga Sllovakia, Republika Çeke, Rumania dhe Hungaria. Qytetarët shqiptarë, gjithashtu kanë konfirmuar gatishmërinë e tyre për të pritur refugjatë ukrainas. Më 27 shkurt, BE diskutoi, ndër tema të tjera të rëndësishme, çështjen e zgjerimit të ndihmës për refugjatët e prekur nga konflikti në Ukrainë. Rumania, Estonia, Letonia, Lituania, Sllovenia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, i janë bashkuar vendeve, qeveritë e të cilave, kanë mbyllur tashmë hapësirën e tyre ajrore për transportuesit ajror rusë. Me ndihmën e qeverive të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe të gjitha vendeve të tjera, të cilat, sipas ministrit të jashtëm Gjerman, e kanë mbuluar në 180 gradë. Ndihmë e madhe nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Suedia, mbështetje konstante nga fqinjët tanë të afërt: vendet baltike dhe Polonia. Do doja të nënvizoja faktin se dje më datë 28 shkurt, Presidenti Volodymyr Zelensky firmosi aplikimin për anëtarësimin e Ukrainës në BE. Si ambasador i Ukrainës në Shqipëri, do doja të theksoja pozicionin e qeverisë shqiptare dhe personalisht të Kryeministrit Edi Rama, në mbështetje të Ukrainës. Falënderimet e mia, edhe për Presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, Kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla, për ju zonja Ministre Xhaçka dhe Ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi. Ne ju jemi mirënjohës të gjithëve për mbështetjen dhe solidaritetin tuaj. Do të doja të përfitoja nga rasti t’ju kërkoj që t’i bëni kërkesa të mëtejshme qeverive tuaja, sepse mendoj se askush nuk ka dyshim se agresori mund të bindet aq lehtë. Bëni marshime drejt ambasadës së Federatës Ruse, vendosni embargo ndaj të gjitha importeve, promovoni maksimalisht zbatimin praktik të shkëputjes së Rusisë, nga sistemi bankar ndërkombëtar Swift. Për Rusinë kjo do të thotë miliarda e miliarda humbje dhe përbën një çmim praktik të këtij pushtimi ndaj shtetit tonë.

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim

Faleminderit, Ministre e Jashtme, për ftesën për të gjithë ne në këtë diskutim të rëndësishëm. Teksa shikoj rreth tryezës, po përpiqem të dalloj se çfarë na bën të gjithëve së bashku. Shumë nga ne janë anëtarë të NATO-s. Shumë nga ne janë anëtarë të BE-së. Disa nga ne aspirojnë të bëhen pjesë e BE-së. Por të gjithë ne sigurisht e pranojnë që jemi në një moment historik. Që kërcënimi, sulmi dhe pushtimi i Ukrainës nga Rusia përbën një kërcënim për të gjithë ne dhe për sistemin ndërkombëtar që ne dhe paraardhësit tanë kemi punuar për dekada për ta ndërtuar nga rrënojat e Luftës së Parë Botërore dhe Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu është shumë e qartë se në kryeqytetet tona ne po i përgjigjemi këtij momenti. Po ngrihemi në lartësinë e këtij momenti në mënyra që nuk i kishim pritur. Dhe mendoj se jemi të gjithë të befasuar me veten – për shpejtësinë, vendosmërinë, këmbënguljen, seriozitetin dhe sakrificën; kjo nuk vjen pa sakrifica – me mënyrën se si ne po i përgjigjemi, duke i dalë në mbrojtje Ukrainës, por edhe duke dalë në mbrojtje të mënyrës sonë të jetesës. Ju shpreh vlerësimin e SHBA-ve për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit si bashkëpenëmbajtëse jona për çështjen e Ukrainës, shpreh vlerësimin për të gjithë ju, për bashkëpunimin dhe kontributin tuaj. Dhe përsëri e kuptojmë se bashkëpunimi dhe kontributi juaj, duke përfshirë edhe ndihmën humanitare apo ndihmën në fushën e mbrojtjes apo sanksionet nuk janë pa kosto. Por besoj se të gjithë jemi në një mendje se ia vlen.

Në fund, sigurisht nënvizojmë solidaritetin tonë të plotë me Ukrainën dhe popullin e Ukrainës në këto momente të kësaj sfide historike. Ne jemi me ju. Ne do të vazhdojmë të jemi me ju.

Ambasadori i delegacionit të BE, Luiggi Soreca

Faleminderit Ministre që na keni mbledhur sot.

Ambasadori Shkurov, edhe një herë ne jemi këtu për të shprehur solidaritetin dhe mbështetjen tonë për ju dhe popullin tuaj. Ndërkohë që ne flasim, Presidenti Zelenksi po i adresohet Parlamentit Evropian në prezencën e Presidentit Mishel, Presidentes Von der Leyen dhe une si përfaqësues i zv/presidentit Borell në një sallë të mbushur me të gjithë parlamentarët në mbështetje të tij në atë adresim virtual.

Siç e dini, Evropa e dënon në termat më të ashpër të mundshëm, agresionin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Federatës Ruse kundër Ukrainës në shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar dhe parimeve të kartës së OKB-së, në të njëjtën kohë duke minuar sigurinë jo vetëm evropiane por dhe atë globale.

BE-ja ka punuar pa rreshtur me të gjithë komunitetin ndërkombëtar për të bashkuar forcat për ti dhënë fund dhe t’i japim fund agresionit ushtarak rus duke miratuar rezolutën përkatëse. Duam të falenderojmë vecanërisht Shqipërinë si një anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB për rolin vendimtar që ka luajtur në këtë kontekst.

Ju të gjithë e dini se Bashkimi Evropian ka miratuar një paketë të paprecedentë masash dhe sanksionesh, më të madhen ndonjëherë në histori dhe ndjehem krenar që kjo po ndihmon tashmë në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj. Sanksione dhe masa duke filluar nga financimi për blerjen dhe shpërndarjen e armëve në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës në ngrirjen e aseteve dhe pezullimin e trasanksioneve për të dobësuar fuqinë e Rusisë në këtë luftë të padrejtë. Përsëri, gjej rastin të përgëzojmë dhe përshëndes Shqipërinë për qëndrimin e saj të fortë politik në dënimin e menjëhershëm të agresionit rus, dhe në të njëjtën kohë, duke u linjëzuar plotësisht me të gjitha vendimet e BE-së, duke përfshirë sanksionet nga i pari në të fundit këtë mëngjes dhe duke qenë aty si një partner vërtet i besueshëm në këto kohë të vështira.Ne do të vazhdojmë të koordinojmë me partnerët tanë strategjikë rreth tavolinës dhe në mbarë botën për t’u siguruar që ky sulm i tmerrshëm ndaj një vendi të lirë e sovran do të ndalet dhe mbetemi në pritje të ditëve në vijim kur emergjenca të tjera mund të lindin nga shpengulja e qytetarëve ukrainas brenda vendit dhe ne vëndet fqinje të bashkimit Europian, Ju mund ta dini që Komisoni Evropian po shqyrton aplikimin direktivës së mbrojtjes së përkohshme, e cila u adoptua pas luftës në këtë rajon në vitin 2001, por që su vu në zbatim, e cila nëse miratohet nesër në Këshillin e Ministrave te Drejtësisë dhe të Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së do të sigurojë një mbrojtje të plotë për qytetarët ukrainas deri në tre vite në secilin vend të BE-së.

Për këtë qëllim, Zëvendëspresidenti Borrell dhe Komisioneri Varhelyi po udhëtojnë sot drejt kufirit me Moldavinë për të parë situatën dhe për të raportuar përsëri në Këshill nesër. Edhe një herë dëshiroj të, shprehim sërish solidaritetin dhe mbështetjen për ju Ambasador Volodymy dhe për ju, ministër për një reagim të shpejtë të Shqipërisë për t’u bashkuar me qëndrimet e BE-së.


Shtuar 1.03.2022 18:29