Me kundërshtime nisi dhe ashtu përfundoi.
Pas njoftimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për përfundimin e Ballkanit të Hapur, pushteti dhe opozita në Shqipëri, por edhe ish-diplomatë, kanë qëndrime të ndryshme për arritjet dhe për arsyet e mbylljes së nismës rajonale, ku, pos Shqipërisë, bën pjesë edhe Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Për pushtetin, nisma e arriti qëllimin përse u krijua si një shtysë për Procesin e Berlinit, ndërkaq, për opozitën, nuk pati asnjë arritje, por shkaktoi vetëm dëme në marrëdhëniet me Kosovën dhe i shërbeu Serbisë.
Nisma, që fillimisht u quajt Mini-Shengen, nisi më 10 tetor 2019, në Novi Sad të Serbisë, dhe u firmos nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Më 29 korrik 2021, ajo u pagëzua me emrin Ballkani i Hapur. Nisma u kundërshtua nga opozita në Shqipëri, dhe u refuzua nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë më herët se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.
Ballkani i Hapur, mbivendosje apo shtysë e Procesit të Berlinit?
Kryeministri shqiptar, Rama, deklaroi mbylljen e Ballkanit të Hapur, një nismë që hapi debate të forta në Shqipëri, por edhe përplasje në marrëdhëniet me Kosovën. Ai, më 1 korrik, tha për Euronews Albania, se kjo nismë lindi për të çuar përpara Procesin e Berlinit, dhe, sipas tij, ky mision është kryer.
Lidhur me këtë deklaratë të Ramës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se “nuk mund të besojë se ai [Rama] ka thënë një gjë të tillë”.
Ndërkaq, në Maqedoninë e Veriut nuk ka pasur reagime për këtë deklaratë të Ramës.
Përfundimin e Ballkanit të Hapur, Rama e kishte paralajmëruar që më 23 qershor, kur në një konferencë për media, deklaroi “ngrirje” të marrëdhënieve me Serbinë, për shkak të arrestimit të tre policëve të Kosovës.
Rama tha se nuk do të takohej dhe nuk do të fliste me presidentin e Serbisë, Vuçiq, për asgjë tjetër, veçse për këtë çështje, që i tensionoi më tej marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Policët ndërkohë u liruan më 26 qershor.
Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ish-ministra dhe ish-ambasadorë, kanë mendime të ndryshme sa i përket Ballkanit të Hapur, pse u nis dhe çfarë u arrit.
Për deputetin e Partisë Socialiste, dikur zëvendësministër i Jashtëm, Etjen Xhafaj, nisma ishte një nivel paralel me atë të Procesit të Berlinit, ku vendet e rajonit synonin integrimin ekonomik dhe social, duke u përgatitur për integrim evropian.
“Duke qenë se lista e prioriteteve të Bashkimit Evropian kishte nisur të ndryshonte, duke ikur pak nga fokusi i rajonit dhe për rajonin, në drejtim të disa prioriteteve më të gjera, siç ishte menaxhimi i krizës së emigrantëve, rrjedhimisht vendet e Ballkanit Perëndimor panë mënyrën për të ndryshuar statos quo-në, panë mundësinë për të pasur një mënyrë alternative, që të kishin një integrim më të shpejtë ekonomik. Ishte një shtysë për Procesin e Berlinit”, thotë Xhafaj për Radio Evropën e Lirë.
Ndryshe e sheh nismën deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku. Sipas ish-kryediplomatit shqiptar, nisma synoi vetëm sigurimin e udhëheqjes së Serbisë në Ballkan.
“Në themelimin e saj, në Novi Sad, Vuçiq referoi frazën ‘Ballkani i ballkanasve’. Kjo është strategji e Serbisë për ta kthyer këtë rajon në një hapësirë të mbyllur mes Lindjes dhe Perëndimit, kjo nuk është frazë e re. Ambasadorë rusë, shekuj më parë e kanë përdorur këtë fjalë kur kanë ndarë Ballkanin dhe kur kanë copëtuar tokat e shqiptarëve. Nisma ka synuar sigurimin e udhëheqjes së Serbisë në Ballkan, por ka qenë edhe një lloj mburoje për ta parë Ballkanin si një bunker, sepse një Ballkan pa praninë e Perëndimit është krejtësisht i kontrolluar nga rusët dhe nga Lindja”, thotë Çollaku për REL-in.
A pati arritje Ballkani i Hapur?
Gjatë takimeve në kuadër të Ballkanit të Hapur, u nënshkruan disa marrëveshje, mes tri vendeve pjesëmarrëse – Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Për pushtetin në Shqipëri, arritjet ishin të mëdha, ndërsa për opozitën nisma nuk arriti asgjë më shumë se sa t’i jepte Serbisë një rol dominues në Ballkan, dhe, sipas saj, rikuperoi imazhin e Vuçiqit dhe të Serbisë në arenën ndërkombëtare.
“Ndër arritjet e mëdha është bashkëpunimi ekonomik, lëvizja e lirë e njerëzve në kufi, liberalizimi i shkëmbimeve tregtare, i njohjes së licencave profesionale, apo deri diku edhe i diplomave, pra afrimi i tregut të Ballkanit Perëndimor. Edhe ata që ishin anëtarë të kësaj nisme, edhe ata që nuk ishin, janë të vetëdijshëm se madhësia e tregjeve tona është e vogël për të tërhequr investime të mëdha”, pohon Etjen Xhafaj.
Për deputetin demokrat, Çollaku, nisma shënon “një nga majat e suksesit të diplomacisë serbe”.
“Ballkani i Hapur ishte një përpjekje e mirëmenduar për të rikthyer rolin hegjemon të Serbisë, udhëheqjen e saj në aspektin politik, ekonomik e ushtarak. Nisma arriti një nivel të lartë, kur arriti të futej në Marrëveshjen e Uashingtonit, në formatin e Mini-Shengenit në atë kohë, dhe Kosova u detyrua ta pranonte prej ofensivës serbe. Kështu, Serbia, nga vend që shkaktoi katër lufta gjenocidale në Ballkan, projektohej si vend që frymëzonte paqe dhe bashkëpunim në hapësirën ballkanike”, shprehet Çollaku.
Socialisti Xhafaj thotë se përfundimi i Ballkanit të Hapur erdhi si pasojë e zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës.
“Avancimet e bëra u tërhoqën përpara krizës në veri [të Kosovës]. Incidenti më i rëndë ishte arrestimi i tre policëve brenda territorit të Kosovës, që është thyerje e integritetit dhe është kujtesë e konfliktit të vitit ’99. Dhe, rrjedhimisht Rama mori vendimin që të kemi një platformë ku të mos jemi më vetëm gjashtë vendet duke diskutuar me njëra-tjetrën, duke gjykuar se në këtë moment ka nevojë për një arbitër që angazhohet për një projekt të përbashkët, fokusi do të jetë te Procesi i Berlinit”, shprehet Xhafaj.
Tensionet në veri të Kosovës nisën në fund të majit, kur serbët nisën protestat kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut. Serbët po kërkojnë tërheqjen e kryetarëve dhe njësive speciale të Policisë së Kosovës. Nga bashkësia ndërkombëtare, Kosovës po i kërkohet të tërheqë policinë dhe kryetarët e rinj nga ndërtesat komunale dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja. Ndërkaq, Serbisë po i kërkohet që t’i bindë serbët të marrin pjesë, pa kushte, në zgjedhjet e reja.
Për Çollakun, përfundimi i kësaj nisme është lajm i mirë për shqiptarët.
“Nuk kishte më asnjë mundësi mbijetese. Është lajm i mirë, por i vonuar. Prodhoi vetëm një ndarje të thellë në qasjen e politikës së jashtme brenda vendit, pasi opozita e ka kundërshtuar që prej fillimit të saj. Shkaktoi gjithashtu një konflikt të madh mes Tiranës dhe Prishtinës, kështu që mbyllja krijon mundësi të re të rigjejmë një kohezion të brendshëm, të paktën sa i përket temave delikate të politikës së jashtme, por edhe në raportet me Kosovën”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Çollaku shton se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithnjë kanë kërkuar gjithëpërfshirje.
Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo, sheh si arsye të përfundimit të kësaj nisme faktin se në tetor Tirana mirëpret samitin e Procesit të Berlinit.
“Shqipëria është vendi mikpritës i samitit të Procesit të Berlinit në tetor të këtij viti, do të vijnë kryetarë shtetesh dhe qeverish të Evropës, dhe nuk mund të jetë njëkohësisht edhe iniciuese e një nisme rajonale, që krijon mbivendosje me Procesin e Berlinit. Kjo është arsyeja që kryeministri Rama shpalli, madje pa dijeninë e presidentit serb, Vuçiq, që misioni i Ballkanit të Hapur u mbyll. Një tjetër arsye e fundit të kësaj nisme është edhe fakti se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nuk u përmirësuan – gjë që ishte një nga synimet e kësaj nisme – por u përkeqësuan. Tensionet në veri të Kosovës i dhanë një goditje nismës”, thekson Milo për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkaq, ish-ambasadori i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Agim Nesho, thotë se nisma u cilësua nga Rama si projekti i shekullit, por përfundoi duke mos arritur asgjë.
“Ishte një vizion qesharak i Ramës, që donte të bënte diçka, por nuk bëri asgjë. E përdori Vuçiqi. Dhe, në një moment krize, kur nuk i dha as minimalen, lirimin e tre policëve [të Kosovës] – këtë meritë ia dha [kryeministrit të Hungarisë, Viktor] Orbanit, duke ditur peshën e tij në politikën e jashtme – Rama hoqi dorë. Unë mendoj se ishte një aventurë me pasoja për politikën e Shqipërisë, për besueshmërinë e vendit tonë”, thotë Nesho për REL-in.
Shqipëria pret këtë vit për herë të parë një samit të Procesit të Berlinit, ku do të marrin pjesë liderë të Bashkimit Evropian.
Më 6 dhe 7 korrik, Rama pritet të zhvillojë një turne ballkanik në kuadër të këtij procesi. Ai pritet të vizitojë Prishtinën, Beogradin, Shkupin, Sarajevën dhe Podgoricën./rel