Kryebashkiaku i sapozgjedhur i Venecias, Simone Venturini, ka deklaruar se synon ta çojë deri në 50 euro tarifën e hyrjes për vizitorët që shkojnë në qytetin lagunor vetëm për një ditë.
Venturini, ish-zëvendëskryetar i krahut të djathtë përgjegjës për turizmin, i zgjedhur në krye të bashkisë në fund të majit, tha se kjo nismë synon të “dekurajojë” më tej mbërritjet në periudhat me “presion të shtuar turistik”.
Të lidhura
None found
Gjatë fushatës elektorale, ai ishte angazhuar që tarifa të rritej nga 30 deri në 50 euro, në varësi të datave.
Sipas tij, këshilli bashkiak po vlerëson një propozim që më pas do t’i paraqitet qeverisë qendrore, për të kërkuar autorizim për rritjen e tarifës së hyrjes “në ditë specifike dhe kur tejkalohen kufijtë e caktuar të rezervimit”.
Venturini theksoi se “tarifa e hyrjes është aktualisht mjeti i vetëm efektiv për kontrollin e numrit ditor të vizitorëve. Prandaj ne po punojmë për një propozim që do ta bëjë atë më efektiv në ditët e pikut, me synimin për të gjetur një ekuilibër të ri midis nevojave të banorëve, punëtorëve dhe vizitorëve”.
Ai shtoi se fondet e mbledhura nga kjo tarifë do të përdoren “për të financuar shërbimet komunale dhe për të mbështetur mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e një qyteti unik, të ndërtuar mbi ujë, kostoja vjetore e të cilit i kalon 100 milionë euro”.
Në vitin 2024, Venecia u bë qyteti i parë turistik në botë që aplikoi një tarifë hyrjeje, duke vendosur pagesën 5 euro për 29 ditë të ngarkuara mes prillit dhe korrikut.
Kjo masë u rikthye në vitin 2025 dhe u shtri në 54 data, ndërsa vizitorët që rezervonin në momentet e fundit paguanin dyfish. Për këtë vit, skema përfshin 60 data.
Ndonëse mekanizmi pati ndikim të kufizuar në uljen e numrit të turistëve, në vitin e parë ai siguroi 2.4 milionë euro të ardhura, shumë më tepër nga sa ishte parashikuar. Pavarësisht kësaj, autoritetet e Venecias vijojnë të besojnë se masa mund të ndihmojë në menaxhimin afatgjatë të turizmit në qytetin e UNESCO-s.
Pagesa e tarifës bëhet elektronikisht dhe vizitorët pajisen me një kod QR, të cilin duhet t’ua paraqesin oficerëve që patrullojnë pikat kryesore të hyrjes në qytet, përfshirë stacionin hekurudhor Venezia Santa Lucia.
Nga kjo pagesë përjashtohen ata që kanë rezervuar një qëndrim nate në Venecia, turistët nga rajoni më i gjerë i Venetos, prej nga vjen pjesa më e madhe e vizitorëve ditorë, si edhe fëmijët nën 14 vjeç. Megjithatë, edhe vizitorët që kanë prenotuar një dhomë hoteli duhet të deklarojnë praninë e tyre përmes faqes përkatëse të internetit.
