Pak ditë pasi marrëveshja paraprake mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kishte nisur të zbatohej, situata u afrua sërish pranë përshkallëzimit të premten.
Sipas një analize të New York Times, për të dytën herë brenda javëve të fundit, pika që rrezikoi të minonte këtë marrëveshje ishte Libani. Ajo që më parë konsiderohej një front dytësor në përplasjen SHBA-Izrael me Iranin, tashmë është shndërruar në një nga pengesat kryesore për mbylljen e armiqësive.
Të lidhura
None found
Të premten, përshkallëzimi i fortë i tensioneve mes Izraelit dhe Hezbollahut çoi në anulimin e një raundi të ri negociatash mes përfaqësuesve të Teheranit dhe Uashingtonit në Zvicër. Edhe pse publikisht asnjëra palë nuk dha arsye për ndërprerjen e takimit, tre zyrtarë që folën për New York Times thanë se Irani u tërhoq për shkak të sulmeve izraelite ndaj Libanit.
Mohanad Haje Ali, bashkëpunëtor i lartë në Qendrën Carnegie të Lindjes së Mesme në Bejrut, tha se udhëheqja e re iraniane e konsideron Libanin pjesë thelbësore të sigurisë së saj kombëtare, pasi goditjet e mëparshme izraelite ndaj Hezbollahut në vitin 2024 krijuan terrenin për një përballje të drejtpërdrejtë me Iranin.
“Për Iranin, qëllimi përfundimtar është tërheqja e Izraelit nga Libani”, shtoi ai.
Kjo ishte hera e dytë që bisedimet SHBA-Iran anuloheshin si pasojë e konfliktit të lidhur me Izraelin. Më herët gjatë këtij muaji, sulmet izraelite në periferi të Bejrutit e shtynë Iranin të lëshonte raketa drejt Izraelit, ndërsa më pas Izraeli u kundërpërgjigj me sulme në të gjithë Iranin.
Ndalesa e re e negociatave ndodhi vetëm disa ditë pasi Uashingtoni dhe Teherani nënshkruan një marrëveshje paraprake për t’i dhënë fund luftës së tyre. Dokumenti parashikon “ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake” në Liban dhe përfshin zotimin për të mbrojtur “integritetin dhe sovranitetin territorial” të vendit.
Përfshirja e Libanit në këtë marrëveshje u interpretua si një sukses diplomatik për Iranin, i cili prej kohësh kishte këmbëngulur që çdo dakordësi të përfshinte edhe këtë vend, ku ndodhet aleati i tij Hezbollah. Kjo organizatë e kishte sulmuar Izraelin në mars si shenjë solidariteti me Teheranin. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili nuk mori pjesë në negociata, kishte dalë hapur kundër këtyre kushteve dhe ishte zotuar të vijonte fushatën ushtarake kundër Hezbollahut.
Të premten, ambasadori izraelit në Shtetet e Bashkuara, Yechiel Leiter, deklaroi se Izraeli ishte angazhuar për një armëpushim të menjëhershëm dhe se kishte “ndërprerë të gjitha operacionet sulmuese” në Liban. Megjithatë, ai theksoi se forcat izraelite vijonin veprimet në jug të Libanit “për të çliruar zonën nga Hezbollahu dhe për të çmontuar infrastrukturën e tij terroriste”, duke shtuar: “Ne do të qëndrojmë atje derisa të përfundojë ky mision”.
Kushtet e marrëveshjes SHBA-Iran kanë ngritur pyetje.
Megjithëse thuhet se marrëveshja i shtrin angazhimet e saj edhe te Uashingtoni dhe aleatët e Teheranit, as Izraeli dhe as Hezbollahu nuk e kanë nënshkruar memorandumin, ndërsa deri tani nuk është sqaruar se si do të detyrohet secila palë ta zbatojë atë. Po ashtu, marrëveshja lë të pazgjidhura dy çështje qendrore të konfliktit: nëse Izraeli do të tërhiqet nga Libani jugor dhe nëse Hezbollahu do të heqë dorë nga armët.
SHBA-ja dhe Izraeli kishin kërkuar që dy konfliktet të trajtoheshin të ndara, por Teherani e përdori fushatën izraelite në Liban si mjet presioni gjatë negociatave.
Kjo qasje ka rritur shqetësimin e Trump se vazhdimi i sulmeve izraelite mund ta vendosë marrëveshjen në rrezik. Gjatë javëve të fundit, presidenti amerikan është shprehur më hapur për pakënaqësinë e tij ndaj Netanyahut dhe i ka bërë presion që të kufizojë operacionet ushtarake.
Që pas shpalljes së marrëveshjes, Izraeli ka pushuar së lëshuari pothuajse çdo ditë paralajmërime evakuimi për qytetet dhe fshatrat në jug të Libanit. Edhe pse goditjet izraelite nuk u ndalën, intensiteti dhe ritmi i tyre kishin rënë ndjeshëm deri të premten.
Hezbollahu tha se kishte ngritur pritë ndaj trupave izraelite që po avanconin drejt një kodre mbi Nabatieh, qyteti kryesor i jugut të Libanit. Ushtria izraelite tha se në këto luftime u vranë katër ushtarë izraelitë. Në reagim, Izraeli kreu më shumë se 150 sulme në jug dhe lindje të Libanit, duke lënë të paktën 47 të vrarë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit.
Assaf Orion, gjeneral brigade izraelit në pension dhe bashkëpunëtor në Institutin e Uashingtonit për Near East Policy, tha se ndonëse Irani “arriti të lidhë dy frontet dhe të shfrytëzojë këto negociata me Trump për të kufizuar sulmet e Izraelit”, mbetet ende “shumë herët për të gjykuar” nëse kjo qasje do të vazhdojë dhe për sa kohë.
New York Times e sheh armëpushimin e arritur në prill mes Libanit dhe Izraelit, me ndërmjetësimin e administratës Trump, si një sinjal paralajmërues për atë që mund të ndodhë më tej. Ajo marrëveshje i ndalonte Izraelit operacionet ushtarake ofensive, por i linte të drejtën të ndërmerrte “të gjitha masat e nevojshme të vetëmbrojtjes”.
Vetëm pak orë pas njoftimit, Izraeli e përdori këtë hapësirë të gjerë veprimi për të vazhduar sulmet. Në javët pasuese, pavarësisht armëpushimit, ai zgjeroi edhe pushtimin tokësor. Njësoj si në marrëveshjen SHBA-Iran të shpallur të dielën, edhe në këtë rast Hezbollahu nuk ishte pjesë e saj.
Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi të premten se raundi i ardhshëm i bisedimeve mes Izraelit dhe Libanit, të orientuara drejt një zgjidhjeje më të qëndrueshme në Liban, do të mbahet javën e ardhshme në Uashington. Njoftimi erdhi pasi Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio zhvilloi një bisedë me Presidentin libanez Joseph Aoun.
Edhe pse mbetet e paqartë se deri ku shtrihet kontrolli i drejtpërdrejtë iranian mbi Hezbollahun, analistët vlerësojnë se ndikimi i Teheranit mbi organizatën është forcuar ndjeshëm që pas vrasjes së ish-udhëheqësit të saj, Hassan Nasrallah, në sulmet ajrore izraelite të vitit 2024.
Pasi Hezbollahu dhe Izraeli arritën një armëpushim më vonë gjatë atij viti, grupi shmangu kthimin e zjarrit, edhe pse sulmet ajrore izraelite pothuajse të përditshme vazhdonin, deri në shpërthimin e luftës SHBA-Izrael kundër Iranit në fund të shkurtit.
Lina Khatib, studiuese në Chatham House në Londër, u shpreh se marrëveshja SHBA-Iran “mund të krijojë kushtet për deeskalimin” në Liban, por nuk do të zgjidhë çështjet thelbësore, si tërheqja e Izraelit dhe fati i arsenalit të Hezbollahut.
Forcat izraelite vazhdojnë të jenë të vendosura në një pjesë të madhe të jugut të Libanit, në pushtimin më të gjatë të këtij vendi në më shumë se dy dekada. Sulmet izraelite kanë rrënuar qytete kufitare dhe kanë detyruar mbi një milion njerëz të lënë shtëpitë e tyre.
Izraeli ka deklaruar se nuk e konsideron veten të detyruar nga asnjë marrëveshje për Libanin që doli nga bisedimet SHBA-Iran. Po ashtu, drejtuesit izraelitë kanë bërë të ditur ditët e fundit se nuk planifikojnë tërheqje nga territori.
Një qëndrim i tillë e vendos menjëherë në sprovë premtimin e marrëveshjes për të garantuar integritetin territorial të Libanit.
Në të njëjtin ngërç ndodhet edhe çështja e arsenalit të Hezbollahut. Izraeli ka kërkuar çarmatimin e organizatës përpara se të marrë në shqyrtim tërheqjen, ndërsa Hezbollahu e paraqet pushtimin si dëshmi se armët e tij mbeten të nevojshme. Qeveria libaneze është zotuar që të gjitha armët e Hezbollahut t’i vendosë nën kontrollin e shtetit, por ka pak kapacitet për ta bërë realitet këtë synim.
