Nga Marc Pierini “Carnegie Europe”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Kur Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) u ngjit në pushtet në nëntor 2002, Turqia e përjetoi dekadën e parë të transformimit pozitiv ekonomik dhe normativ, në harmoni me vendet dhe institucionet evropiane. Viti 2013 shënoi pikën e parë të kthesës në drejtimin e kundërt, kur kryeministri i atëhershëm Recep Tayyip Erdogan u përball me protestat e parkut Gezi, të cilat ai i quajti si “terrorizëm”,
Pika e dytë ishte në dhjetor po të 2013-ës, kur u përball me akuza për korrupsion, të cilat nuk u hetuan kurrë. Rezultati politik ishte një divorc midis AKP-së dhe aleatit të saj të deritanishëm, Lëvizjes Gulen. Pas një grushti shteti të dështuar në korrik 2016 u fajësuan Gulenistët, ndodhi një spastrim i madh i institucioneve shtetërore, ndjekje të panumërta penale dhe një afrim i dukshëm me Moskën.
Pas miratimit të një sistemi hiper-presidencial në referendumin e prillit 2017, zgjedhjet presidenciale të qershorit 2018 çuan në përforcimin aktual të kompetencave personale të presidentit Erdogan. Në atë kohë, arkitektura politike e Turqisë ishte tashmë shumë larg standardeve evropiane dhe perëndimore.
2019-ta përfaqësoi një pikë të dytë kthese, si në frontin e brendshëm – AKP humbi masivisht në zgjedhjet lokale të marsit përfshirë Stambollin, pavarësisht përsëritjes së zgjedhjeve në qershor – edhe atë të jashtëm, me marrjen në dorëzim të sistemit raketor rus S-400, një lëvizje që përbënte një goditje të madhe për arkitekturën e mbrojtjes së NATO-s.
Në vitin 2020 u panë disa lëvizje armiqësore kundër Francës dhe Greqisë, disa të bazuara tek mosmarrëveshjet e mëhershme mbi kufijtë detarë dhe të drejtat e eksplorimit për gaz
dhe naftë. Pavarësisht hendekut të zgjeruar me standardet evropiane, Ankaraja vazhdoi të deklaronte se anëtarësimi në BE ishte objektivi i saj përfundimtar, dhe se ajo ishte tërësisht e përkushtuar ndaj NATO-s.
Në frontin e brendshëm politik, aktualisht Turqia është përfshirë nga ethet elektorale.
Për herë të parë në 20 vite, Recep Tayyip Erdogan gjendet teorikisht në prag të humbjes së postit të tij apo shumicës parlamentare nga partia e tij AKP, apo të dyja bashkë.
Si një masë paraprake, partia në pushtet po merr masa për të manipuluar procesin. Këtu përfshihet modifikimi i ligjit zgjedhor në favor të koalicionit në pushtet; paditë gjyqësore kundër Partisë Demokratike Popullore (HDP) të opozitës apo individëve, si për shembull kryetarit të bashkisë së Stambollit Ekrim İmamoğlu; censura ndaj medias dhe shoqërisë civile, përmes një ligjit që njihet si “ligji i lajmeve të rreme”, që synon kontrollin e mediave sociale apo edhe rasti “Osman Kavala” që synon frikësimin e qytetarëve turq.
Për më tepër, institucionet shtetërore dhe mediat janë në shërbim të lidershipit në detyrë. Statistika mbi inflacionit janë tejet të kontrolluara dhe rezervat kombëtare mbahen në një valutë të fortë. Aktualisht po bëhen një sërë shpenzimesh elektorale. Dhe ka narrativa të përsëritura nacionaliste kundër partnerëve perëndimorë.
Në aspektin ekonomik, autoritetet turke kanë zgjedhur të ndjekin një politikë jo – të bazuar në premisën se normat e ulëta të interesit do të ulnin inflacionin. Kjo deri më tani ka dështuar të prodhojë rezultate të prekshme për qytetarin e zakonshëm, teksa ka dekurajuar shumë hyrjen e kapitalit perëndimor, si paratë në periudhën afatshkurtër po ashtu dhe investimet direkte.
Për më tepër, zgjerimi i marrëdhënieve tregtare dhe financiare me Rusinë, vendet e Gjirit Persik dhe partnerëve të tjerë joperëndimorë, po sjell një shkëputje në rritje nga Turqia nga ana e kompanive amerikanë dhe evropianë të kapitalit, inovacionit dhe teknologjisë.
Në frontin e politikës së jashtme, pas një “politike të balancuar” të shpallur mes Perëndimit dhe Rusisë, ka ndodhur një distancim nga NATO dhe Evropa. Ankaraja po ia beson Rusisë mbrojtjen e saj raketore, duke i dhënë mundësi Moskës të korrë një përfitim të madh strategjik duke eliminuar efektivisht raketat Patriot apo Eurosam, si dhe avionët F-35 nga kufiri i saj jugor me NATO-n.
Turqia po i shumëfishon kërcënimet ndaj Greqisë, dhe kjo në një moment vendimtar për historinë e NATO-s. Ajo po e bllokon anëtarësimin në aleancë të Finlandës dhe Suedisë, një nga zgjerimet më domethënëse të aleancës në historinë e saj 74-vjeçare pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
Ndërkohë Ankaraja refuzon t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës. Ajo po nxit një bum në marrëdhëniet tregtare dhe financiare me Rusinë, duke kompensuar pjesërisht efektet goditës të sanksioneve perëndimore. Po ashtu, po e ndryshon qasjen e saj ndaj Sirisë për të përmbushur kërkesat e Moskës, pavarësisht rreziqeve për refugjatët sirianë që ndodhen aktualisht Turqi.
Dhe tani po mbron një zgjidhje me dy shtete për ishullin e ndarë të Qipros. Njëkohësisht, Ankaraja e ka zhvilluar ndjeshëm industrinë e saj ushtarake, duke synuar një shkallë më të lartë autonomie. Me pak fjalë, transformimi i bazave politike, të mbrojtjes, ekonomike dhe të politikës së jashtme të Turqisë është shumë i thellë.
Disa nga këta elementë janë të imunizuar nga rezultatet e zgjedhjeve, të tjerët jo. E gjitha kjo ka rëndësi për Evropën dhe Perëndimin në përgjithësi në tre fusha. Në fushën e sigurisë, ambicia e pavarësisë së Ankarasë nga Perëndimi u shndërrua nga Moska në një politikë të afrimit gjithnjë e më të madh të Turqisë me Rusinë, një akt prej të cilit janë dëmtuar si NATO po ashtu edhe Bashkim Evropian.
Arkitektura e re e mbrojtjes, refuzimi për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, narrativat armiqësore kundër Greqisë dhe politika e re ndaj Sirisë do të përkthehen, pavarësisht nga rezultatet e zgjedhjeve, në divergjenca të qëndrueshme me partnerët perëndimorë.
Fitorja e lidershipit aktual në zgjedhjet e 14 majit do ta ndihmojë më siguri Moskën të çojë përpara qëllimet e saj afatgjata, në kurriz të NATO-s dhe BE-së. Po ashtu edhe në fushën ekonomike dhe tregtare, Turqia do të humbasë në mënyrë të pashmangshme një pjesë të tregut të saj në kontinent.
Është e vërtete që do të mbeten asetet fikse industriale evropiane në Turqi, si për shembull në industrinë e makinave, por ato nuk do të zgjerohen më tej. Duke qenë se investimet e huaja direkte janë një mjet i rëndësishëm për teknologjinë dhe inovacionin, Turqia do të humbasë një burim të pazëvendësueshëm të përparimit teknologjik, ndërsa vendet evropiane do të humbasin partnerët dinamikë industrialë turq.
Rusia dhe vendet e Gjirit nuk kanë asgjë për të ofruar sa i përket aftësive industriale. Në arenën politike, Turqia mund ta gjejë veten të distancuar nga bota demokratike në rast se vazhdon të ndjekë – dhe të brendësojë – modelin rus të qeverisjes.
Ky do të ishte një lajm i keq për vendet evropiane, pasi ato do të detyrohen të përballen me një fqinj të përhershëm përçarës. Dhe më e rëndësishmja: qytetarët turq do të duhet që të vuajnë nga një sistem i rrënjosur autokratik i qeverisjes, të pabazuar në asnjë lloj shteti ligjor shoqëruar me teori konspirative të përhershme.
Tek e fundit, në zgjedhjet e ardhshme të Turqisë, aksionet për vendet e huaja janë dytësore. Ajo që ka rëndësi është lloji i shoqërisë që duan votuesit turq për veten, fëmijët dhe për vendin e tyre. Markat e autokracisë kineze, iraniane, ruse apo siriane mund të jenë tërheqëse për shumë njerëz, por Turqia do të humbasë shumë nëse vendos që t’i imitojë ato. /albeu.com