Pse emigrantët shqiptarë janë vënë nën shënjestrën e autoriteteve britanike?

Nga Kate Nicholson “Huffington Post”

Përktheu: Alket Goce-Albeu.com

Shqiptarët janë vendosur në qendër të polemikave të vazhdueshme politike të ditëve të fundit, rreth refugjatëve që hyjnë ilegalisht në Britaninë e Madhe. Pas një sulmi me një bombë molotov ​​ndaj një qendre të përpunimit të emigrantëve në Dover, deputetët britanikë po pyesin sesi qeveria e re planifikon t’i qaset problemit të azilkërkuesve që mbërrijnë në mënyrë të paligjshme në Britani.

Ministrja e Brendshme, Suella Braverman, ka deklaruar së fundmi, se me politikat e saj të reja do t’i japë fund “pushtimit” të emigrantëve që mbërrijnë në brigjet britanike, duke shkaktuar reagime të forta për “gjuhën e saj të ashpër”.

Dhe tani refugjatët shqiptarë janë në qendër të debatit, të nxitur nga shqetësimet mbi kushtet me të cilat përballen emigrantët në qendrat britanike të përpunimit. Edhe pse qeveria i pyet vazhdimisht refugjatët se përse mbërrijnë në Britani, rreth 76 për qind e të gjitha kërkesave për azil pranohen.

Shqetësimet mbi emigrantët shqiptarë nisën pas një deklaratë të bërë nga Dan O’Mahoney, kreu i njësive të patrullimit në Kanalin Anglez, gjatë një raportimi në Dhomën e Ulët të parlamentit të mërkurën e kaluar.

Ai tha:“Dy  vite më parë, në Britani mbërritën vetëm 50 shqiptarë me varka të vogla. Vitin e kaluar kjo shifër u rrit në 800, dhe nga janari i këtij viti dhe deri më tani kanë zbarkuar mbi 12.000 shqiptarë, nga të cilët rreth 10.000 janë meshkuj në moshë madhore dhe beqarë. Pra rritja ka qenë eksponenciale”.

Zyrtari pretendoi se kjo ndodh për shkak se bandat kriminale shqiptare kanë një “bazë” në Francën Veriore, duke i lehtësuar ndjeshëm kalimet e paligjshme nëpërmjet varkave të vogla. O’Mahoney shtoi se numri i shqiptarëve që kalojnë në Britaninë e Madhe këtë vit është “midis 1-2 për qind e të gjithë popullsisë mashkullore të Shqipërisë”.

Sa për krahasim, Shqipëria ka një popullsi prej 2.81 milionë banorësh (sipas Bankës Botërore). Numri i përgjithshëm i emigrantëve që kalojnë Kanalin Anglez me varka të vogla është aktualisht 39.430 (më i larti që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 2018).

O’Mahoney theksoi gjithashtu se “në vend ka një nivel të lartë kriminaliteti të formave të rënda dhe shumë të organizuar të drejtuar nga bandat kriminale shqiptare”.

“Në çfarëdolloj kriminaliteti të formave të rënda që mund të mendoni, dominuese janë bandat kriminale shqiptare:në trafikun e drogës, trafikimin e qenieve njerëzore, armëve dhe prostitucionit. Shumë nga emigrantët shqiptarë që shohim të mbërrijnë në Britaninë e Madhe, e bëjnë këtë me varka të vogla, pasi kjo është një mënyrë shumë e suksesshme për të arritur këtu.

“Sigurisht, disa prej tyre kanë nevojë për ndihmën tonë, por shkalla e dhënies së azilit për meshkujt beqarë shqiptarë është mjaft e ulët. Zakonisht ata të zgjedhin të mos kërkojnë azil. Akomodohen në ndonjë hotel për disa ditë, dhe më pas do të zhduken pa lënë gjurmë. Dhe janë në gjendje ta bëjnë këtë sepse kjo lehtësohet nga mënyra se si funksionon sistemi i azilit”- theksoi zyrtari britanik.

Priti Patel, paraardhësja e Braverman në postin e Ministrit të Brendshëm, u përpoq të arrinte një marrëveshje me qeverinë shqiptare në gusht të këtij viti, në mënyrë që ata që kishin mbërritur në Britaninë e Madhe të mund të riktheheshin në Shqipëri.

Patel deklaroi në atë kohë:“Këta shtetas shqiptarë janë sjellë këtu ilegalisht nga rrjetet e organizuara kriminale, që kanë aktivitet në shumë vende të BE-së. Ata janë duke e blerë azilin, dhe bërë përpjekje për të kërkuar azil në Britani, me shpresë se mund të qëndrojnë këtu”.

Qasja e saj do t’i hiqte të drejtën shqiptarëve për një gjykim të drejtë për kërkesat e tyre për azil. Megjithatë, departamenti ligjor i qeverisë konfirmoi në shtator se ky program nuk zbatohej për shqiptarët që kishin aplikuar për azil në Britani, pasi organizata bamirëse e refugjatëve “Care4Calais” e sfidoi atë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Themeluesja e organizatës, Clare Moseley, tha se 53 për qind të kërkesave të shqiptarëve për azil pranohen nga Home Office, dhe kjo “tregon se për shumë shqiptarë vendi i tyre nuk është më i sigurt për të jetuar”.  E megjithatë Braverman i përdori sërish shqiptarët për të shigjetuar kundërshtarët politikë të Partisë Laburiste.

“Nëse Laburistët do të ishin sot në pushtet, ata do të lejonin të gjithë kriminelët shqiptarë të vinin në këtë vend, do të lejonin të gjitha varkat e vogla të zbarkonin në Britaninë e Madhe, do t’i hapnin kufijtë tanë, dhe do të minonin tërësisht besimin e popullit britanik mbi kontrollin e sovranitetin tonë”- tha ajo.

Braverman bëri komente specifike për shqiptarët edhe në konferencën e Partisë Konservatore që u zhvillua në tetor. Ajo pretendoi se Shqipëria ishte një vend i sigurt, duke shtuar: “Shumë prej tyre pretendojnë se janë trafikuar si skllevër modernë…E vërteta është se shumë prej tyre nuk janë skllevër modernë dhe pretendimet e tyre se janë trafikuar janë gënjeshtra”.

Komentet e saj nxitën një rishikim të udhëzimit të Home Office mbi kërkesat për azil që vijnë nga shqiptarët. Tani qeveria e re po përpiqet t’i propozojë qeverisë shqiptare një plan për ta frenuar së bashku këtë fluks njerëzish, dhe po punon për të dëbuar ata që mbërritën në Britani në 10 muajt e fundit.

Sipas “The Telegraph”, kjo përfshin dhënien e mundshme të milionave paund Shqipërisë për të përmirësuar infrastrukturën e saj. Suella Braverman pajtohet me deputetin konservator, Lee Anderson se emigrantët mund të “hipin një gomone dhe të rikthehen menjëherë në Francë” nëse besojnë se akomodimi në Britani nuk është mjaftueshëm i mirë.

“Çdo ankesë se akomodimi nuk është mjaftueshëm i mirë është sinqerisht mosmirënjohës”- shtoi ajo. Deputetët konservatorë, përfshirë Lee Anderson dhe James Daly, i kanë sulmuar shpesh shqiptarët që zbarkojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Daly deklaroi të hënën në parlament: “Nuk ka asnjë arsye që këta njerëz të vijnë këtu. Ne duhet të ndjekim shembullin e vendeve të tjera evropiane, dhe të sigurohemi që ata të rikthehen menjëherë në Shqipëri”.

Anderson pohoi gjithashtu se “kriminelët shqiptarë” po vijnë në Britaninë e Madhe, pasi “krijojnë bazën e tyre në Francë”. Po pse shqiptarët trajtohen ndryshe nga kombësitë e tjera që kërkojnë azil? Shqipëria është një vend evropian që ka aplikuar për t’u anëtarësuar në BE, dhe është anëtare e NATO-s.

Ndaj kritikët kanë hedhur dyshime nëse shqiptarët që largohen nga vendi, kanë vërtet nevojë për azil. Kushdo që largohet nga shtëpia e tij duhet të cilësohet azilkërkues. Organizata “Amnesty International”, thekson se largimi nuk duhet të jetë domosdoshmërisht vetëm për shkak të luftës, por edhe përndjekjes, shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut dhe rreziqeve për sigurinë e jetës.

Organizata të tjera sugjerojnë gjithashtu se azilkërkuesit mund të kërkojnë azil vetëm në vendin e parë të sigurt në të cilin arrijnë, sikurse përcaktohet edhe nga Konventa e Gjenevës.

Për shumicën e emigrantëve që hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar përmes Kanalit Anglez, supozohet se ata kanë qenë fillimisht në Francë. Megjithatë, siç e thekson organizata bamirëse për refugjatët “Care4Calais” “nuk ka asnjë përcaktim ligjore që një refugjat të kërkojë azil në ndonjë vend të caktuar”.

“Ekziston një kërkesë, sipas së cilës vendi i parë i sigurt në të cilin mbërrijnë ata, duhet ta dëgjojë kërkesën e tyre për azil. Por nëse kjo nuk ndodh për ndonjë arsye, refugjati është i lirë ta bëjë diku tjetër kërkesën e tij për azil”- shton ajo.

Ndërkohë “FullFact”, një organizatë që kontrollon faktet thekson:“Konventa e OKB-së për Refugjatët nuk e parashtron këtë kërkesë për refugjatët, dhe praktika gjyqësore në Britani e mbështet këtë interpretim. Refugjatët mund të bëjnë një kërkesë të ligjshme për azil në Britani, vetëm pasi të kalojnë nëpër vende të tjera ‘të sigurta’”./albeu.com