PS rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut, reagon Bardhi: Ka prova për 11 tendera me vlerë 1.1 miliardë euro, shtet i marrë peng nga korrupsioni

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi pas vendimit të shumicës socialiste për të mos lejuar heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po mbron korrupsionin dhe po pengon drejtësinë.

Bardhi e cilësoi vendimin e shumicës si një përpjekje për të bllokuar hetimet dhe për të mbrojtur zyrtarë të lartë të përfshirë në afera korruptive.

Sipas tij, kryeministri është i kapur në një sistem korrupsioni që, sipas opozitës, është ndërtuar nga vetë qeveria.

“SPAK-u ka paraqitur prova për 11 tendera me vlerë 1.1 miliardë euro, si dhe prova për presion ndaj dëshmitarëve përmes të fortëve dhe parave. Në çdo demokraci normale, Parlamenti do t’i hapte rrugë drejtësisë. Por sot pamë diçka tjetër: jo vetëm Kryeministri është peng, por edhe Parlamenti po mbahet peng për të mbrojtur sistemin e korrupsionit, me arkitekt Edi Ramën dhe zbatuese Belinda Ballukun e shumë të tjerë si ajo“, thuhet në reagimin e Bardhit.

Bardhi theksoi se kjo situatë, sipas tij, nuk është më vetëm një debat i brendshëm politik, por edhe një test për Shqipërinë në raport me integrimin europian.

Ai bëri thirrje për protestë qytetare, duke deklaruar se më 12 mars para Parlamentit qytetarët do të reagojnë kundër asaj që ai e cilësoi si kapje të shtetit nga korrupsioni.

“Me qendrimin e Edi Ramës pro Belindës (korrupsionit), kundër drejtësisë (integrimit), konfirmohet e zeza mbi të bardhë: vendi qeveriset nga një kryeministër peng i një të pandehure të SPAK-ut. Kur shteti merret peng nga korrupsioni, fjala u mbetet qytetarëve. Më 12 mars, para Parlamentit, shqiptarët do t’i tregojnë Edi Ramës se Shqipëria nuk është peng i askujt”, deklaroi kreu i Grupit Parlamentar të PD.

Reagimi:

Vendimi i “Gjykatës Supreme të Republikës – PS” për të mos lejuar heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut konfirmon atë që kemi thënë që në ditën e parë: Edi Rama është peng i Belinda Ballukut. I kapur në kurthin e korrupsionit që ka ndërtuar vetë, Edi Rama nuk është një kryeministër i lirë për të marrë vendime në interes të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Përndryshe, nuk do të ishte i detyruar që, pas 10 vitesh nga miratimi i reformës në drejtësi, të hiqte maskën propagandistike të reformatorit, duke u kthyer në pengesën madhore të drejtësisë!

SPAK-u ka paraqitur prova për 11 tendera me vlerë 1.1 miliardë euro, si dhe prova për presion ndaj dëshmitarëve përmes të fortëve dhe parave. Në çdo demokraci normale, Parlamenti do t’i hapte rrugë drejtësisë. Por sot pamë diçka tjetër: jo vetëm Kryeministri është peng, por edhe Parlamenti po mbahet peng për të mbrojtur sistemin e korrupsionit, me arkitekt Edi Ramën dhe zbatuese Belinda Ballukun e shumë të tjerë si ajo.

Kjo nuk është më vetëm një çështje e brendshme politike. Ky ishte një test kritik për Shqipërinë në raport me Bashkimin Europian. Europa kërkon sundim ligji dhe luftë reale kundër korrupsionit në nivelet më të larta, por Edi Rama zgjodhi korrupsionin dhe, pengimin e drejtësisë! Kur drejtësia bllokohet për të mbrojtur pushtetin, peng bëhet edhe integrimi europian.

Me qendrimin e Edi Ramës pro Belindës (korrupsionit), kundër drejtësisë (integrimit), konfirmohet e zeza mbi të bardhë: vendi qeveriset nga një kryeministër peng i një të pandehure të SPAK-ut.

Kur shteti merret peng nga korrupsioni, fjala u mbetet qytetarëve. Më 12 mars, para Parlamentit, shqiptarët do t’i tregojnë Edi Ramës se Shqipëria nuk është peng i askujt.


Shtuar 9.03.2026 12:52