PS mburojë për mandatin e Xhaçkës/ Bardhi: Dorëzojani drejtësisë, le të vendosë Kushtetuesja

Mazhoranca, me urdhër të shefit të tyre Edi Rama, e vazhdojnë ende mburojën për mandatin e Olta Xhaçkës, edhe pas raportit të ardhur nga Komisioni i Venecias, e cila theksonte se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të zbatueshme me detyrim nga të gjitha autoritetet dhe nuk mund të rrëzohen me shumicë parlamentare.

Elisa Spiropali, Niko Peleshi, Klotilda Bushka dhe Taulant Balla, folën me radhë në Kuvend duke u shprehur qartë se as nuk kanë ndërmend të futin në rendin e ditës votimin e mocionit për dërgimin e mandatit të Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtuese. Ata pretendojnë se po mbrojnë autonominë parlamentare.

Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, deklaroi se nuk është e rëndësishme se çfarë thotë Elisa apo Klotilda, por sipas tij, Kuvendi i detyruar të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese mocionin për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit.

Ai i bëri thirrje mazhorancës që ta dërgojë mandatin e Olta Xhaçkës në Kushtetuese dhe le të vendosë kjo e fundit nëse ish-ministrja e Ramës është apo jo në kushtet e papajtueshmërisë. Sipas Bardhit, çdo sjellje tjetër është minimi i demokracisë.

Peleshi: U tha që ne synojmë ta kthejmë këtë sallë në gjyq publik. E thonë me zë të lartë për gjyq publik që të na ktheni në kohën e persekutimeve politike. E keni në avantazh që thoni fjalën e fundit për këdo që del para. Shqiptarët këtë e kuptojnë. Kaq e thjeshtë është sepse PS fiton.

Bardhi: Jemi shumë të ndryshëm në këtë sallë. Na mirëkupto shoku Niko, nëse vidhen pronat e ushtrisë i themi me emër dhe mbiemër. Nëse ne shoku Niko konstatojmë ligjet që i miratoni ligjet e Klodjan Zoto do e themi me zë të lartë. Kjo nuk është të godasësh biznesin por ata që vjedhin pronën publike. Por ata që i shërbejnë interesin privat që të mbrojmë konkurrencën e lirë. Jeni e vetmja mazhorancë që dy vendime të Gjykatës Kushtetuese i keni hedhur në kosh. Shembulli që jepni ju që na bëni moral, çfarë shembulli jepni ju për qytetarët që kanë konflikt. Për turpin tuaj, dhe kryetares së Kuvendit, u betuar se sapo të vinte Opinionit i Venecias do zbatonte këshillën. Shpiku një opinion që nuk ekziston. I tha shqiptarëve që Komisioni i Venecias na tha se jemi të pavarur dhe nuk i bindet Gjykatës Kushtetuese.

Kuvendi i detyruar të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese mocionin për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit. Nuk ka rëndësi ç’thotë Elisa, apo Klotilda por ajo që thotë Gjykata Kushtetuese. Parimi është supremacia e kushtetutës dhe jo tuiteri i Edi Ramës. Të gjithë autoritetet janë të detyruar ti binden vendimeve. Parlamenti ndryshe nga reagimi juaj, nuk mund ti referohet parimit të ndarjes së pushteteve. Gjykata Kushtetuese ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i tyre nuk mund të kushtëzohet me votim nga shumica parlamentare.

Komisioni i Venecias u ka thënë atë që ju kemi thënë ne në këtë sallë, atë që ka thënë Gjykata Kushtetuese, që nuk mund të ngrini pavarësinë tuaj apo lirinë tuaj të votës kur bëhet fjalë për vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nuk mund të konsiderohet si imponim i një mënyre votimi, por përmbushje përgjegjësie. Prandaj, fusni menjëherë në rend dite. Dorëzojani drejtësisë Olta Xhaçkën, të vendosë Gjykata Kushtetuese nëse është apo jo në kushtet e papajtueshmërisë. Çdo sjellje e kundërt ndaj saj është minim i shtetit të së drejtës

Bushka: Në deklaratën për shtyp Komisioni i Venecias, thotë Kuvendi i Shqipërisë ka njohur natyrën detyruese të vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Komisioni thekson detyrimin e parlamenti për të respektuar Kushtetutën. Ky respektin nuk duhet kushtëzuar nga vota parlamentare. Nëse kushtetuta i jep fuqinë për të votuar për një çështje përmbajtja e votës duhet vendosur lirshëm nga çdo deputet. Ju e lexoni si ju intereson. Paragrafi 22 flet për standardet që nuk i kemi vënë në dyshim. Unë besoj se ata që janë jurist dhe lexojnë jo vetëm dy paragrafë, se Venecia ka dhënë opinion të ndërsjelltë të drejtës së deputetit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Nëse doni ta lexoni ndryshe, mos merrni fjalë të shkëputura. Kjo është çështje ky autonomia parlamentare ka fituar të drejtën e vet. Ka fituar të drejtën t’i njihet 1/10. Komisioni i Venecias nuk bëhet debat publik.

Bardhi: Kjo nuk është çështje Kushtetuta. U hap një gënjeshtër e madhe. Unë e lexova të plotë raportin e Komisionit të Venecias. Vetëm në një paragraf Olta Xhaçka përmendet 4 herë. Paragrafi 12 nis: në lidhje me rastin specifik, në qershor 2022 dhe fillon historikun e çështjes Xhaçka. Kur referon përgjigjen e pyetjeve ju çon tek vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe ju ka dhënë një këshillë. Zbatoni vendimet e Gjykata Kushtetuese nuk varet nga vota dhe vullneti juaj apo halli juaj personal. Kjo nuk është çështje personale. Edhe fondet e AZHBR janë publike. Nuk nisesh nga halli jot për hallin e Oltës. Kjo është kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.


Shtuar 12.12.2024 13:52