Protesta, Sali Berisha bën thirrjen e fortë: Dje nisi beteja pa kthim për qeveri teknike

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij mbrëmjen e sotme, u ndal te protesta e mbajtur mbrëmjen e djeshme nga opozita përpara Kryeministrisë.

“Dje në Shqipëri nisi beteja pa kthim për qeveri teknike, për votën e lirë, për ndryshim dhe rotacion”, u shpreh Berisha, gjatë tubimit të qytetarëve në mbështetje të tij në ‘Rrugën e Shpresës’.

Berisha: “Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta së pari edhe njëherë mirënjohjen më të pakufishme ju qëndrestarëve të pamposhtur dhe të gjithë atyre demokratëve, opozitarëve, shqiptarëve që dje me 11 korrik firmosën në një uragan madhështor besën, betimin e tyre për t’i dhënë Shqipërisë qeveri teknike, dhe shqiptarëve zgjedhje të lira, ndryshim dhe rotacion.

Miqtë e mi, që nga nata e mbrëmshme, që nga protesta madhështore e natës së mbrëmshme, Shqipëria nuk është më e njëjta sepse protesta e djeshme ishte protesta më e paparë dhe në kushtet më të jashtëzakonshme që ndryshoi përfundimisht ekuilibrat e imponuara nga narkoshteti i Edi Ramës në Shqipëri.

Dje, në Shqipëri nisi beteja pa kthim e shqiptarëve që nuk është bërë ndonjëherë më parë për qeveri teknike, për votën e lirë, për ndryshim, rotacion dhe fitoren e opozitës.

Protesta e djeshme faktoi se sot ne jemi më shumë si opozitë e vërtetë se kurrë.

Protesta e djeshme faktoi se sot ne jemi shumica politike e Shqipërisë, por jo vetëm kaq, por edhe shumica numerike e saj.

Me admirimin më të madh për qëndresën tuaj qytetare, dua të them se sot ne jemi diçka edhe më shumë se shumica numerike e shqiptarëve.

Sepse ditën e djeshme me masivitetin tuaj, me vendosmërinë tuaj, me fjalët tuaj shkruajtët në shesh një fjalë, të cilën shqiptarët e kishin harruar.

Shpresa është arritja më e rëndësishme e ditës së djeshme.”


Shtuar 12.07.2024 20:52

Tags: ,