Prokurorë e gjyqtarë te Aktivisti? PS paralajmëron përballje ligjore

Partia Socialiste thotë se lista me emrat e publikuar mbrëmjen e djeshme është manipuluar dhe fabrikuar qëllimisht për të hedhur baltë mbi këtë forcë politike.

Sekretari Digjital i PS Etjen Xhafaj, është shprehur se socialistët do të ndjekin rrugën ligjore, pasi personat e pretenduar se janë prokurorë, gjyqtarë apo dhe administratë, nuk janë në listat e tyre dhe ata nuk kanë një databazë të tillë.

“Partia Socialiste do të ndjekë në rrugë ligjore nxjerrjen, manipulimin dhe fabrikimin e të dhënave të rrjetit social të aktivistëve të saj, i cili është lehtësisht i verifikueshëm si një mekanizëm komunikimi i brendshëm mbi bazën e vullnetarizmit të çdo përdoruesi.

Çdo përpjekje e dëshpëruar propagandistike për të hedhur edhe më shumë baltë mbi PS thjesht na rrit dëshirën dhe na forcon vullnetin tonë në rrugën e një fitoreje tjetër kuptimplotë, më 14 maj, kur falë edhe rrjetit tonë social të aktivistëve, Partia Socialiste do të jetë shumë hapa përpara kundërshtarëve të çoroditur e të dëshpëruar”, thuhet në njoftimin e PS.

Më tej, në fjalën e tij deputeti Xhafaj është shprehur se aplikacioni i themeluar nga PS nuk kërkon të dhënat e asnjë përdoruesi. Sekretari Dixhital i PS ilustroi dhe mënyrën e logimit në aplikacion, se emri i përdoruesit mund të zgjidhet nga vetë përdoruesi, edhe nëse nuk është identiteti i vërtetë i tij.

Po ashtu, Etjen Xhafaj ka theksuar se ata nuk kanë asnjë databazë dhe personat që regjistrohen në aplikacionin “Aktivisti”, nuk janë të detyruar apo nuk ju kërkohet të deklarojnë vendin e punës apo profesionin që kanë./Albeu.com.


Shtuar 8.02.2023 14:10