Procesi kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë hyn në fazën e mbrojtjes, më 15 shtator paraqitet dëshmitari i parë

Më 15 shtator, Dhomat e Specializuara të Kosovës e njohur si Gjykata Speciale, do të nisin fazën e re të procesit gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, me paraqitjen e provave nga mbrojtja.

Në seancën që do të fillojë në orën 09:00, pritet të dëgjohet dëshmitari i parë i thirrur nga mbrojtja e Thaçit.

Seanca do të jetë kryesisht publike dhe do të transmetohet me 45 minuta vonesë në shqip, serbisht dhe anglisht përmes faqes zyrtare të DHSK-së.

Aktakuza kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit u konfirmua më 2020 dhe është ndryshuar disa herë deri më 2023.

“Të katër janë të akuzuar për krime kundër njerëzimit dhe katër krime lufte, përfshirë përndjekje, burgim, torturë, vrasje të paligjshme dhe zhdukje me forcë personash, që pretendohet se ndodhën mes viteve 1998–1999 në Kosovë dhe Shqipërinë veriore”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Deri më tani, në këtë proces kanë dëshmuar 127 dëshmitarë – 125 të thirrur nga Prokuroria dhe dy nga Mbrojtja e Viktimave – ndërsa janë pranuar edhe 137 deklarata me shkrim.

Prokuroria mbylli paraqitjen e provave më 15 prill 2025, ndërsa mbrojtja e viktimave përfundoi prezantimin në korrik.

Trupi gjykues ka paralajmëruar se paraqitja e provave nga mbrojtja pritet të mbyllet më 14 nëntor 2025, ndërsa dosjet përfundimtare dhe deklaratat mbi pasojat për viktimat duhet të dorëzohen deri më 22 dhjetor 2025.


Shtuar 4.09.2025 18:25

Tags: ,