Problemet dentare detyruan presidentin amerikan Joe Biden të anulojë paraqitjen e planifikuar të sotme në një ngjarje sportive dhe të shtyjë takimin e tij me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Presidenti 80-vjeçar vuante nga një dhimbje e fortë dhëmbi dhe dje të dielën iu nënshtrua trajtimit endodontik nga mjekët në Spitalin Ushtarak Walter Reed. Kryemjeku i Shtëpisë së Bardhë, Kevin O’Connor, tha se presidenti amerikan po përjetonte sërish shqetësime në mëngjes, gjë që ai shpjegoi se ishte e pritshme duke pasur parasysh përfundimin e trajtimit.
Operacioni dentar do të bëhet në Shtëpinë e Bardhë, pa i nënshtruar anestezisë së përgjithshme. Prandaj, Joe Biden nuk do të duhet t’i transferojë përkohësisht kompetencat e tij zëvendëspresidentes amerikane Kamala Harris, siç parashikohet në amendamentin e 25-të të Kushtetutës. Ai e kishte bërë këtë për rreth një orë e gjysmë më 19 nëntor 2021, kur u shtrua për t’iu nënshtruar një kolonoskopie.
Zëvendëspresidentja Harris do të zëvendësojë Presidentin Biden në ngjarjen sportive që kishte planifikuar të merrte pjesë.
Në të njëjtën kohë, takimi i presidentit amerikan me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg është shtyrë për nesër të martën.
80-vjeçari Biden aspiron të kandidojë për t’u rizgjedhur në presidencën amerikane në vitin 2024, i inkurajuar nga rezultatet e testeve mjekësore që iu nënshtrua së fundmi.