Presidenti Begaj nis vizitën në Austri: Thellim i Partneritetit dhe Mbështetje për Integrimin Evropian

Ditën e sotme, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, nisi vizitën zyrtare në Austri, ku u prit me nderime të larta nga Presidenti Alexander Van der Bellen, me të cilin zhvilloi fillimisht takimin kokë më kokë, më pas atë me praninë e delegacioneve përkatëse dhe në fund krerët e dy shteteve dhanë një konferencë të përbashkët shtypi.

Në konfirmim të miqësisë tradicionale Shqipëri-Austri, kryetarët e dy shteteve ndanë qëndrime të njëjta për një partneritet intensiv dhe të qëndrueshëm, për përballimin e sfidave integruese rajonale dhe evropiane dhe për një vizion strategjik në lidhje me bashkimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

Gjithashtu, biseda mes tyre përfshiu një gamë të gjerë diskutimesh, detajet e së cilës Presidenti Begaj i bëri të ditura në konferencën për gazetarët me Presidentin Van der Bellen.

Presidenti Begaj i shprehu homologut të tij mirënjohjen ndaj Austrisë për mbështetjen e hershme, të vazhdueshme e të përkushtuar në shumë fusha, si: në ekonomi, arsim, turizëm, në reformën në drejtësi dhe në veçanti në përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.

“Marrëdhëniet tona përbëjnë një partneritet që forcohet dita ditës”, – deklaroi Presidenti Begaj, duke theksuar se Shqipëria dhe Austria kanë një dialog politik të shkëlqyer, ndajnë të njëjtat interesa strategjike, duke ruajtur vlerat e përbashkëta Euroatlantike: “Ne duhet të mundësojmë që këto interesa strategjike të reflektohen në veprime të përbashkëta për një të ardhme të një Shqipërie të zhvilluar, një Shqipëri anëtare të Bashkimit Evropian, një Ballkan Perëndimor të sigurt, paqësor dhe të integruar në BE, dhe një rajon larg ndikimit të aktorëve të tretë”.

Mes të tjerash, Presidenti Begaj, nënvizoi se Shqipëria ka ecur me shpejtësi dy vitet e fundit dhe është optimiste për të hapur brenda vitit të gjithë grup-kapitujt, me objektiv kombëtar anëtarësimin në 2030:

“Pavarësisht se anëtarësimi do të marrë kohën e vet, për ne më shumë rëndësi ka procesi, i cili transformon shoqërinë, transformon mirëqeverisjen, ekonominë dhe sjell përfitime direkte për të gjithë qytetarët tanë”.

Presidenti Begaj, vlerësoi Austrinë për angazhimin në mbështetje të së ardhmes së Shqipërisë në BE dhe, gjithashtu, lidershipin austriak për vizionin strategjik për ta mbajtur Ballkanin Perëndimor të ankoruar fort në rrugën evropiane.

Reflektimi i këtij angazhimi është edhe inicimi nga ana e Austrisë i grupit diplomatik “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, i cili është një koalicion që synon forcimin e angazhimit të Bashkimit Evropian për rajonin.

Një qasje e tillë, – theksoi Presidenti Begaj, do të prodhojë stabilitet rajonal dhe do të zvogëlojë rreziqet gjeopolitike nga influencat e jashtme.

Takimin e Komunitetit Politik Evropian, që do të zhvillohet në Tiranë më 16 maj, Presidenti Begaj e konsideroi si të rëndësishëm dhe një lajm të mirë për Shqipërinë.

Gjatë takimit Begaj-Van der Bellen, u diskutua edhe Kosova, për të cilën Presidenti i Republikës i përcolli homologut të tij mirënjohje për rolin dhe kontributin e Austrisë për pavarësinë, fuqizimin e shtetit të ri të Kosovës, për njohjet e reja dhe anëtarësimin e saj në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.

 


Shtuar 25.03.2025 14:51