Postoi video në rrjetet sociale, krim makabër në Pakistan, babai vret vajzën 18-vjeçare

Katër persona janë arrestuar në Pakistan, përfshirë një burrë të akuzuar për vrasjen e vajzës së tij 18-vjeçare.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasi vajza adoleshente kishte postuar një video në rrjetet sociale, tha policia.

Policia shtoi se 18-vjeçarja, e cila është viktima e fundit e të ashtuquajturave vrasje nderi në vend, u qëllua dhe u vra nga babai i saj javën e kaluar në Luginën Kolai-Palas në rajonin malor të Pakistanit veriperëndimor, pranë kufirit me Afganistanin, duke ndjekur rekomandimet e të afërmve të tij.

Të afërmit kishin bërë thirrje gjithashtu që shoqja e 18-vjeçares që shfaqej me të në video të dënohej, por ajo u shpëtua nga policia, thanë zyrtarët.

Babai i saj, i quajtur Arslan Mohsin, dhe tre të afërmit e saj u arrestuan dhe u dërguan në gjykatë, tha zyrtari i policisë Masood Khan për Reuters.

Çdo vit, qindra gra në Pakistan janë viktima të krimeve të nderit të kryera nga të afërmit që pretendojnë se po veprojnë në mbrojtje të nderit të familjes, zakonisht në zonat thellësisht konservatore rurale të vendit.

Postimi i fotove dhe videove të grave konsiderohet një temë tabu në zonat fisnore.


Shtuar 29.11.2023 15:47