Polonia do të dërgojë tanke shtesë në Ukrainë

Polonia do të dërgojë edhe 10 tanke të prodhimit gjerman Leopoard 2, në Ukrainë gjatë kësaj jave, njoftoi ministri polak i Mbrojtjes.

“Katër tanke veçse janë në Ukrainë dhe 10 të tjerë do të dërgohen këtë javë”, tha Mariusz Blaszczak gjatë një konference për media. Në total, Polonia ka premtuar se do t’i dërgojë Ukrainës 14 tanke Leopard 2.

Blaszczak i bëri këto komente para takimit të ministrave të Mbrojtjes të Bashkimit Evropian, që mbahet në Stokholm lidhur me sigurinë në Evropë dhe mbështetjen për Ukrainën.

“Ne po ashtu pritet të diskutojmë me Boris Pistrius, ministrin gjerman të Mbrojtjes. Çështja kryesore për të cilën do të flasim është stoqet e pakta e pjesëve rezervë për tanket Leopard”, tha Blaszczak.

Ky problem mund të zgjidhet fillimisht nga industria gjermane e armëve dhe Polonia është e gatshme që të prodhojë pjesë të tilla, shtoi ai.

“Ne veçse kemi iniciuar një qendër për shërbime në Poloni, që do të merret me riparimin e tankeve Leopard që dërgohen në Ukrianë”, tha Blaszczak.

Përveç Polonisë, edhe Gjermania dhe shtetet e tjera evropiane i kanë premtuar Ukrainës tanket Leopard 2. Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do të dërgojnë në Ukrainë tanket e fuqishme Abrams.


Shtuar 7.03.2023 19:11