Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka thënë se janë dy ose tri pista të dyshimeve që po hetohen nga autoritetet lidhur me vrasjet në Deçan, të premten.
Megjithatë, ai ka thënë se tash është ende herët të ketë persona të dyshuar për rastin.
Të premten në mbrëmje, një person i maskuar besohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një autobusi duke lënë në vendin e ngjarjes shoferin, ndërsa dy nxënës humbën jetën më pas si pasojë e plagëve të marra.
“Hetimet janë në intensitetin më të madh të mundshëm. Të gjitha njësitet relevante janë këtu duke kryer hetimet. Janë dy apo tri pista të dyshimeve. S’mund të jepen detaje, sepse pistat që po punojmë janë në fazën fillestare. Jemi në dy ose tri drejtime të caktuara. Kemi dyshime me bazë të caktuar, por është herët të themi se kemi person të dyshimtë”, ka thënë Mehmeti nga Gllogjani.