Policia nxjer pamjet e grabitjes në Tiranë: 5 mijë euro shpërblim për gjetjen e autorit (VIDEO)

Policia e Tiranës ofron 5000 euro shpërblim për çdo person që jep informacione lidhur me autorin e grabitjes së sotme në Astir.

Një person, i cili mbante maskë kirurgjikale, syze dhe kapele, rreth orës 08:25, në rrugën “Tom Plezha” në Unazë të Re ka arritur të grabisë rreth 40 mijë euro duke kërcënuar punonjëset me armë.

“Në funksion të hetimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mëngjesin e sotëm, ku një shtetas është futur në një pikë për transferta parash dhe këmbimi valutor në Unazë të Re, dhe nën kërcënimin e një arme zjarri ka marrë një shumë parash dhe është larguar me biçikletë, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vë në dispozicion pamjet filmike të ngjarjes.

DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 5000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694110415, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi”, thuhet në njoftimin e policisë./albeu.com/


Shtuar 24.06.2023 12:06