Policia në selinë blu: Po mbledhim prova, përgjegjësit e dhunës do vihen para drejtësisë

Policia e Shtetit përmes një njoftimi zyrtar ka lajmëruar se tashmë grupi hetimor ndodhet në selinë e Partisë Demokratike dhe se ka nisur puna për mbledhjen e provave të paligjshmërisë që karakterizoi protestën e dhunshme të thirrur nga Sali Berisha.

Policia njofton se përgjegjësit e dhunës do të vihen para drejtësisë.

Njoftimi:

Policia e Shtetit informon se:

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka filluar kryerja e veprimeve procedurale, në selinë e Partisë Demokratike, për këqyrjen e çdo ambienti ku u zhvillua ngjarja që degradoi në përdorimin e dhunës.

Duke filluar nga jashtë, deri në të gjitha ambientet e brendshme të selisë, do të bëhet këqyrja dhe do të mblidhet çdo provë e paligjshmërisë që karakterizoi ngjarjen e dhunshme.

Do të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale të gjitha provat, në funksion të hetimit, si dhe do të kryhet me rigorozitet e paanësi të plotë ligjore, çdo veprim procedural i nevojshëm, me qëllim zbardhjen e plotë të të gjithë dinamikës së kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e autorëve të përfshirë ne akte dhune, për të garantuar nxjerrjen e tyre pa dallim, para drejtësisë.

Në vijim do të ketë njoftime të tjera lidhur me këtë situatë.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike dhe çdo akuze apo insinuatë me sfond politik ndaj saj është thjesht e papranueshme.


Shtuar 8.01.2022 14:33