Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka komentuar lajmin se Policia e Shtetit nuk ka dhënë leje për protestën e opozitës më 6 dhjetor kur edhe do të mbahet Samiti i vendeve të Bashkimit Europian. Në një prononcim për Klan News, Flamur Noka tha se protesta është e drejtë demokratike e fituar që në dhjetor të ’90 dhe se askush s’mund të ndalë të drejtën për të protestuar.
“Protesta është e drejtë demokratike e fituar që në dhjetor të ’90. Askush s’mund të ndalë të drejtën për të protestuar. Nuk i marrim leje askujt në Shqipëri për të protestuar. Në bazë të ligjit njoftojmë se protesta do të bëhet do apo nuk do regjimi,”-tha Flamur Noka për Klan News.
Më 6 dhjetor, Tirana do të presë liderët e vendeve të Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor së bashku me drejtuesit më të lartë të institucioneve të Brukselit. Samiti që bën bashkë krerët e kontinentit të vjetër do të mbahet në ambientet private të Arenës Kombëtare. Në të njëjtën ditë, Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha ka thërritur një protestë kombëtare. Kryedemokrati ka deklaruar se protesta do të jetë e qetë dhe paqësore. Protestën e thirrur nga Berisha e ka mbështetur dhe aleati i tij në opozitë kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta. Ndërkohë kjo protestë duket se do të ‘përçajë’ edhe më tej opozitën pasi kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë. Policia nuk i ka dhënë leje për këtë protestë, duke e konsideruar të rrezikshme.