Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, tha se policët në veri të Kosovës nuk do të zbatojë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletave qortuese, për shoferët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia.
“Ne nuk mund ta zbatojmë atë vendim sepse ai është politik dhe i drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb, të cilit i përkasim edhe ne vetë”, tha Gjuriq më 2 nëntor dhe shtoi se “patrulla të njësive të trafikut nga Prishtina janë dërguar në veri, për të ushtruar presion”.
Gjuriq i bëri këto deklarata pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë dhe katër kryetarëve të komunave në veri, të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok).
Ai tha se me këtë vendim paraprakisht është informuar edhe drejtoria e përgjithshme në Prishtinë si dhe të gjithë akterët ndërkombëtarë.
Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë makina me targa ilegale (KM), do të marrin fleta qortuese. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të makinave në targat RKS (Republika e Kosovës).
Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë makina me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i makinave që nuk kanë targa RKS.
Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës ende nuk është prononcuar se si do të veprojë pas këtij vendimi të policisë në veri.
Ndërkaq, nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, tha se të gjithë përfaqësuesit e partisë së tij ofrojnë mbështetje të plotë “për policët e drejtorisë rajonale të veriut”.
“Serbët nuk duan të zëvendësojnë targat e tyre KM me targat RKS”, tha Simiq.
“Shqiptimi i dënimit të parë do të pasohet me një reagim të ashpër dhe rezistencë të fortë me të gjitha mjetet demokratike. Nuk mund të parashikojmë se çfarë do të ndodhë në këtë moment”, tha ai.
Kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, e cila funksion ne sistemin e Kosovës, Millan Radojeviq, falënderoi komandantët e stacioneve nga veriu në emër të katër kryetarëve të komunave veriore dhe tha se ata mbështesin dhe “mirëkuptojnë plotësisht punonjësit e policisë që nuk duan të shpërndajnë qortime”.
“Kemi pasur një takim ku kemi arritur në konkluzione të caktuara që do të tregojnë unitetin e popullit tonë në këto zona”, tha ai.
Përmes një njoftimi për media, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se mbështet vendimin e drejtuesve të policisë në veri, kurse për policët nga Prishtina tha se nuk kanë “asnjë arsye” që të shkojnë në komunat në veri të Kosovës.
Në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – vlerësohet se janë deri në 10.000 automjete me targa ilegale serbe.
Këto targa i lëshon Serbia dhe bartin akronime serbe të qyteteve të Kosovës, si: KM, GL, PR, UR e të tjera.
Në javët e fundit janë shtuar incidentet në veri, që kanë pasur në cak kryesisht serbët që kanë riregjistruar makinat e tyre në RKS.
Vendimi për riregjistrimin e makinave fillimisht ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht, por u shty për një muaj për shkak se serbët lokalë ngritën barrikada në shenjë pakënaqësie ndaj këtij vendimi.
Pak para se të skadonte afati për riregjistrim më 31 tetor, Qeveria e Kosovës njoftoi për planin e saj me tri faza për targat. /REL