Polici i lidhur me bandat, kalon për gjykim dosja e ish-shefit të krimeve në Elbasan

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kaloi për gjykim dosjen ndaj ish-shefit të krimeve në policinë e Elbasanit, Leonard Palushi.

Togat e zeza vendosën që ai të gjykohet me procedurë të shkurtuar, çka në fund të procesit i garanton uljen e një të tretës së dënimit nëse shpallet fajtor.

Ish-shefi i krimeve Palushi u arrestua në kuadër të operacionit ‘Golden Bullet’ pasi dyshohej se kishte kryer manipulime provash në disa ngjarje kriminale, kur ka shërbyer si efektiv në Elbasan.

Nga hetimet e SPAK është provuar se në vitin 2020, Leonard Palushi ka krijuar raporte me të hetuarin Erjon Alibej dhe ka marrë tërthorazi prej tij përfitim të parregullt konkretisht një automjet në formë dhurate.

Në këmbim, zyrtari i policisë ka kryer një sërë veprimesh për llogari të porosive që merrte nga Erion Alibej.

I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani ka treguar se zyrtari i policisë me porosi të Erion Alibejt, i dyshuar si organizator dhe porositës i vrasjeve të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt, kishte orientuar hetimet në drejtim të gabuar.

Konkretisht, në datën 20 korrik 2020 ka ndodhur vrasja e shtetasit Emiljano Ramazani, ndërkohë që arma e kësaj ngjarje është vendosur në servisin e familjes Manahasa.

Informacioni në polici për armën është përcjellë pikërisht nga Leonard Palushi.

Sipas të penduarit, dhënia e informacionit është bërë qëllimisht që pas ngjarje të hapej një konflikt mes familjes Manahasa me grupin e Talo Çelës./Albeu.com/


Shtuar 27.02.2023 18:31