Polarizohet zhvillimi i rajoneve, varfërohet Veriu, “pasurohet” Tirana dhe qendra

Nga viti në vit, të dhënat ekonomike të 12 qarqeve të vendit po tregojnë zhvillim të pabarabartë. Sipas INSTAT, në 10 vitet e fundit, ekonomia e rajonit të Qendrës është rritur mesatarisht me 3.4% në vit, Rajoni i Veriut u rrit mesatarisht me 2.4% në vit, ndërsa Jugu me 2.6%. Qarku më i varfër, Kukësi, shënoi rënie të ekonomisë gjatë dekadës me 2.7%, duke u varfëruar më tej. Zhvillimi ekonomik i rajoneve është ndikuar negativisht nga emigracioni i lartë, teksa mungojnë politikat zhvillimore me fokus qarku. Ekspertët bëjnë thirrje për një diagnozë të re të varfërisë dhe projekte që sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm të qarqeve të varfra

Blerina Hoxha

Rritja ekonomike e vendit në dekadën e fundit është shpërndarë në mënyrë të pabarabartë në rajonet e tij. Vit pas viti, qendra e vendit po fuqizohet ekonomikisht, kurse rajonet e Veriut dhe Jugut janë rritur nën mesataren kombëtare. Qarqet e Dibrës dhe Kukësit, që u vlerësuan si më të varfrat në vitin 2011, janë varfëruar më tej në dekadën e fundit. Politikat ekonomike dhe sociale nuk po sigurojnë kohezionin social dhe për shkak të kësaj dukurie, qarqet e vendit, sidomos Veriu, po shpopullohet me shpejtësi duke zgjedhur emigracionin kryesisht, edhe pse disponojnë burime natyrore të shumta.

Instituti i Statistikave publikoi së fundmi ndryshimet në Prodhimin e Brendshëm të Bruto të Rajoneve në të cilin u rezultoi se në tre qarqe ekonomia ishte me rënie në vitin 2019, Dibra me 3%, Kukësi me 2.8% dhe Berati me 2%%. Në të kundërt, qarqet me rritjen ekonomike të lartë ishin Durrësi me 4.3%, Gjirokastra me 4%, Fieri me 3.25 dhe Tirana mbi 2.5%.

Në rang vendi, ekonomia u zgjerua me 2.1% në vitin 2009. E ndarë sipas rajoneve, qendra ku bën pjesë Tirana dhe Elbasani u rritën mbi mesataren kombëtare me 2.2%. Rajoni i Veriut me qarqet e Dibrës, Kukësit, Durrësit, Lezhës, Shkodrës u rrit me 2.1% thuajse në mesataren kombëtare, kryesisht prej zgjerimit të ekonomisë së Durrësit, i cili në 2019-n u ndikua nga zhvillime pozitive në turizëm. Rajoni i Jugut me qarqet e Beratit, Fierit, Gjirokastrës, Korçës dhe Vlorës u rrit 1.78% me ritme më të ulëta se mesatarja kombëtare, për shkak të ndikimeve negative në ekonominë e Beratit.

Polarizohet zhvillimi i rajoneve, varfërohet Veriu, “pasurohet” Tirana dhe qendra

30/07/2021 10:10 PM 0 KOMENTE

Share on FacebookShare on LinkedInTweet about this on TwitterEmail to someonePrint this page

Burimi: INSTAT

Gjatë 10 viteve të fundit, ekonomia e rajonit të Qendrës është rritur mesatarisht me 3.4% në vit, Rajoni Veriut u rrit mesatarisht me 2.4%, ndërsa i Jugut me 2.6. Merita Toska, nga Co-Plan, njohëse e financave vendore, tha se, pabarazitë në vend janë të dukshme dhe thellohen çdo ditë më shumë, në disa nivele. Ajo pohoi se diferenca në nivelin ekonomik po theksohen në nivel rajoni, qarku, në nivel bashkie dhe në terma urbanë dhe ruralë. Shpërndarja e burimeve të rritjes në territor, sipas saj, është përcaktuese për këto diferenca, gërshetuar dhe me faktorë të tjerë. Politikat rishpërndarëse janë të vakëta dhe nuk po arrijnë të japin rezultate për t’i zbutur këto pabarazi.

Edhe pse qeveritë tashmë kanë një hartë të rajonalizuar dhe të detajuar për varfërinë që në vitin 2011 nuk kanë mundur të shpërndajnë në mënyrë t’i drejtë burimet ekonomike. P.sh., rajoni më i varfër i vendit, Kukësi, në vitin 2019 kishte një ekonomi më të vogël se në vitin 2009.

Sherefedin Shehu, ish-zv.ministër i Financave, ekspert për politikat rajonale, tha se arsyet kryesore të thellimit të varfërisë në qarqet e varfra janë mungesa e politikave efektive ekonomike dhe sociale. Politikat sociale në Shqipëri nuk garantojnë mbështetje reale për të varfrit, pasi ato ofrojnë një mbështetje simbolike financiare, e cila ka mbetur pothuajse e pandryshuar prej më shumë se 25 vitesh dhe indeksimi i saj është disproporcional krahasuar me rritjen e shumëfishtë të kostos së jetesës, tha Shehu.

10 vite ekonomia e Kukësit me rënie, qarku më i varfër, varfërohet më tej

Në vitin 2012, në një anketë të posaçme, INSTAT e mati nivelin e varfërisë në vend. Si kufi i varfërisë u përcaktua një konsum për frymë në 4891 lekë (39 euro) në muaj. Familjet dhe individët që konsumonin poshtë kësaj sasie u konsideruan të varfër, pasi me burimet e tyre të të ardhurave nuk mund të siguronin konsumin e 2200 kalorive në ditë.

Rezultatet e anketës treguan se qarqet Vlorë dhe Gjirokastër kishin shkallën më të ulët të varfërisë, ndërsa Qarku i Kukësit kishte shkallën më të lartë të varfërisë, pasi më shumë se 28% e popullsisë në këtë qark konsumonte poshtë kufirit 39 euro në muaj. Harta e varfërisë duhet t’u shërbente qeverive shqiptare më pas për të realizuar ndërhyrje me fokus pikërisht në zonat më të varfra. Por sot, mbas 10 vitesh prej këtyre rezultateve, ekonomia e qarkut më të varfër në vend është thelluar më tej.

Sipas të dhënave të INSTAT, ekonomia e Kukësit nga viti 2009 deri në 2019 ka pësuar rënie me 0.3% çdo vit, ndërkohë që ekonomia në tërësi, në këto dhjetë vjet, është zgjeruar mesatarisht me 2.9% në vit. Gjatë dekadës 2009-2019, Qarku i Kukësit ishte vetmi me rënie në shkallë kombëtare, teksa qarqet e tjera, dikush më pak e dikush më shumë, kanë shkuar drejt rritjes.

Ish-kryetari i Bashkisë së Kukësit, Sheqfet Bruka, ekspert i çështjeve vendore, tha se politikat ekonomike dhe sistemi i rishpërndarjes së të ardhurave kanë qenë në disfavor të Kukësit. Sipas tij, Qarku i Kukësit është i pasur me burime natyrore pasi ka minierat, prodhon më shumë se cilido tjetër energji elektrike, ka pyje dhe kullota pafund, resurse turistike, etj. Z. Bruka u shpreh se duhet ndryshuar politika e shpërndarjes së të ardhurave dhe duhen rindërtuar politikat ekonomike. Ai shtoi se, duhet decentralizim dhe njerëzit duhet të jenë pjesëmarrës në ndërtimin e politikave zhvillimit.

Kukësit i duhen 20 vjet të arrijë nivelin kombëtar dhe 37 vjet, Tiranën

Në vitin 2008, Prodhimi i Brendshëm për Frymë në Kukës ishte sa 67% e mesatares kombëtare, ndërsa në vitin 2019, PBB-ja për frymë në këtë qark ishte sa 60% e mesatares kombëtare. Diferenca në nivelin e jetës është thelluar për më keq.
Sikur ekonomia kombëtare të qëndrojë në vendnumëro, dhe ekonomia e Kukësit të rritet me 2% në vit, do të duhen rreth 20 vjet të arrijë nivelin kombëtar, ndërsa për të arritur nivelin e Tiranës, do të duhen rreth 37 vite. PBB për frymë në Tiranë është 74% më e lartë, se ajo e Kukësit.

Eksperti i ekonomisë, Sherefedin Shehu, tha se, rënia ekonomike në Qarkun e Dibrës në vitin 2019 dhe rënia më e thellë ekonomike në Qarkun e Kukësit ku Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2019 ishte më i ulët se në vitin 2009, tregojnë më qartë se, shkaku i saj është mungesa e politikave efektive ekonomike dhe sociale. Ndonëse këto dy qarqe kanë burime natyrore më të shumta krahasuar me qarqe të tjera, ato kanë nivelin më të lartë të migrimit të brendshëm dhe të jashtëm, si rezultat i thellimit të varfërisë, tha ai.

Vitet e fundit, Kukësi u përball me emigracion të pazakontë, ku mijëra qytetarë emigruan duke kërkuar azil ekonomik kryesisht në Francë dhe Gjermani. Ndërsa në vitin 2019, hyri tërësisht në fuqi vjelja e taksës në Rrugën e Kombit, 100 lekë për çdo automjet të qarkut dhe 5 euro për automjetet e tjera.

Në të gjithë dekadën, ekonomia e Kukësit, në pesë vjet pësoi rënie dhe në pesë të tjera, rritje. Rënia më e fortë ishte në vitin 2014 me -14.5%, si pasojë e ikjes masive në emigracion të mijëra qytetarëve, ku lagje të tëra u zbrazën.

Rritet numri i qarqeve me rënie ekonomike më 2019, emigracioni shkaktar

Në vitin 2019, numri i qarqeve që përjetuan rënie të ekonomisë u rrit, në tre gjithsej (Dibra, Kukësi dhe Berati) në raport me vitin 2018, ku ishin me rënie vetëm Dibra dhe Berati. Ekonomia e qarkut të Beratit shënoi rënie me 2% më 2019. Ky ishte viti i dytë me rënie. Megjithëse qarku ka potenciale për zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit, duket se shkak për rënien është bërë emigracioni i lartë që po sjell rënie të konsumit. Qarku i Dibrës pësoi rënie me 2.8% më 2019, pasi një rritje sistematike nga 2012 -2019.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se ka një lidhje të drejtë ndërmjet emigracionit dhe ecurisë ekonomike të rajoneve. P.sh., në vitin 2019, qarqet me rënien më të madhe të ekonomisë kishin edhe humbjet më të mëdha në popullsi.
Në raport me janarin 2020, në janar të këtij viti, uljet më të mëdha të popullsisë u shënuan në qarqet Gjirokastër (- 2,3%) si pasojë e plakjes, Berat (- 2,1%) dhe Dibër (- 1,9%) si pasojë e emigracionit.

Popullsia në numër shënoi rënien më të madhe në Berat, me një pakësim prej 2500 personash, ndërsa Tirana kishte shtesë më të lartë, me rreth 6 mijë persona plus në vitin 2021. Popullsia e vendit në tërësi, në fillim të vitit 2021, ishte 0,6% më e ulët se më 1 janar 2020.

Zoti Shehu tha se, nëse Qarqeve të Dibrës dhe të Kukësit apo edhe qarqeve të tjera do t’u lihet një përqindje e caktuar e të ardhurave që sigurohen nga koncesionet e hidrocentraleve dhe minierave apo resortet e mëdha turistikë, ato do të shndërroheshin në rajonet më të pasura të vendit.

Ndryshimet e një dekade

Gjatë 2008-2019, të ardhurat për frymë në raport me mesataren kombëtare u rritën më së shumti në Dibër për shkak se ekonomia e këtij qarku pësoi rritje të fortë në vitin 2015, ku për shkak të zgjedhjeve lokale u investua, duke ndryshuar për herë të parë drejtimin politik nga demokratët te socialistët.

Në vitin 2008, Dibra i kishte PBB-në për frymë sa 55% e mesatares kombëtare, ndërsa në vitin 2019, rreth 73% me një rritje 17 pikë përqindje gjatë dekadës. Fieri dhe Gjirokastra përmirësuan të ardhurat për frymë gjatë dekadës në raport me mesataren kombëtare, duke e ngushtuar hendekun me 19 dhe 29 pikë përqindje secili. Në të kundërt, Tirana shënoi përkeqësim me mesataren kombëtare në PBB për frymë.

Në vitin 2008, PBB për frymë e Tiranës ishte sa 165% e mesatares kombëtare dhe në vitin 2019 ishte sa 135% e mesatares kombëtare. Ky ndryshim ka ardhur si pasojë e rritje së popullsisë së kryeqytetit me ritme më të shpejta se sa ekonomia e saj. Tirana e Durrësi janë dy qarqet të vetme në vend me rritje pozitive të popullsisë gjatë tre dekadave të fundit. Siç shihet, shtesa e popullsisë nuk ka qenë aq produktive sa të mbajë nivelet e PBB-së për frymë në ritmet e mesatares kombëtare si para dhjetë viteve.

Ekspertja nga Co Plan, zonja Toska, thotë se hapi i parë për të sheshuar pabarazitë mes rajoneve është një studim i thelluar i pabarazive në vend, shkaqeve dhe parashtrimi i alternativave për ndërhyrje. Më tej duhet të aplikohet një programim i qartë i investimeve të paktën në terma afatmesëm (plan investimesh i qartë dhe i publikuar), për të ankoruar pritshmëritë e biznesit dhe për të ulur nivelin e paqartësive të krijuara nga luhatshmëria e politikave publike. Me vlerë do të ishte ndërmarrja e politikave ekonomike rishpërndarëse (por gjithmonë duke pasur një vizion afatgjatë), shtoi ajo.

Struktura e PBB-së, në Jug rritet pesha e bujqësisë, në Veri, industria

Struktura e PBB-së së rajoneve gjatë 2014-2019 nuk ka pësuar ndryshime të dukshme. Në Veri është rritur pesha e industrisë, në Jug pesha e bujqësisë dhe në qendër, aktivitetet profesionale. Sipas të dhënave të INSTAT, në rajonin e Veriut, bujqësia ishte sektori me peshën më të madhe në PBB-në e rajonit me 25,3% të totalit në vitin 2019. Pesha e sektorit të bujqësisë në PBB ra me 5 pikë përqindje që nga viti 2014. Pesha e shërbimeve në Veri u rrit me gati 3 pikë përqindje, për shkak të zhvillimit të turizmit në zonën e Valbonës. Në rajonin e Veriut, sektorët që dominojnë ekonominë janë bujqësia, shërbimet dhe industria.

Në rajonin e qendrës, sektorët me peshën më të madhe janë shërbimet me 22% të totalit të PBB- më 2019 dhe aktivitetet e administratës publike, me 15.4% të totalit, për shkak të përqendrimit të institucioneve të qeverisë qendrore dhe aktivitetit me të lartë të administratës publike. Në rajonin e Qendrës, struktura e ekonomisë ka mbetur pothuajse e njëjtë me atë të vitit 2015, me një ulje të lehtë të peshës së bujqësisë, rritje të lehtë të aktivitetit të administratës publike dhe industrisë.

Në rajonin e Jugut, sektori më i madh në vitin 2019 ishte bujqësia, e cila zuri 40% të ekonomisë së këtij rajoni, me një rritje të peshës me 4.3 pikë përqindje në raport me vitin 2014.

Sektori i shërbimeve ishte i dyti më i madh në Jug me 14.6% të totalit, më pas industria me 14% të totalit dhe aktivitetet e administratës publike me 10%. Nga viti 2014-2019, pesha e sektorit të industrisë në ekonominë e Jugut ra me 6 pikë përqindje. Në Rajonin e Jugut të vendit, edhe pse ka potencial të lartë për turizëm, bujqësia mbetet dominuese për shkak të përqendrimit të lartë të prodhimit bujqësor në Lushnjë, Fier dhe Berat./Monitor

Shtuar 31.07.2021 08:17