Plagosja e adoleshentit në Fier, ministrja e Arsimit: Të merren masa për kontrollin fizik

Pas ngjarjes në Fier, ku në një shkollë të mesme u plagos me thikë një adoleshent, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim me drejtuesit e shkollave në këtë qytet.

Burimet bëjnë të ditur se Manastirliu i ka kërkuar Drejtorisë Rajonale të Fierit pezullimin e drejtuesve të shkollës dhe oficerit të sigurisë, deri në përfundim të verifikimit për zbatimin e protokolleve të sigurisë të ndjekura dhe në përfundimin e hetimeve mbi këtë ngjarje.

Po ashtu mësohet se në takim është diskutuar edhe marrja e masave shtesë për kontrollet fizike në çdo shkollë, dhe angazhimin e plotë të komisioneve të sigurisë në institucionet arsimore për zbatimin efektiv të protokolleve të sigurisë.

Sipas burimeve nga Policia e Fierit, por edhe vetë dëshmisë të të plagosurit, incidenti ka nisur pas një debati të krijuar në rrjetin social Snapchat.

Tensioni midis dy nxënësve 17-vjeçarë ka ndodhur në oborrin e shkollës, ku situata ka agravuar deri në përdorimin e një mjeti prerës nga njëri prej tyre. Autori i dyshuar është identifikuar dhe shoqëruar nga policia për marrjen e dëshmisë dhe procedurat e mëtejshme ligjore. Ndërkohë, policia vazhdon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.


Shtuar 13.12.2024 19:27