Plagosi simpatizantin e PD në Kavajë, autori me precedentë të theksuar kriminal

Policia ka dhënë detaje për plagosjen e simpatizantit të Partisë Demokratike, Bledar Okshtuni në Kavajë mbrëmjen e sotme. Uniformat blu bëjnë me dije se është identifikuar dhe shpallur në kërkim autori i plagosjes së 27-vjeçarit.

Burime për abcnews.al bëjnë me dije se autori i shpallur në kërkim është Ndriçim Jonuzi ose Ndriçim Tahiri, pasi e ka ndërruar mbiemrin. Ky shtetas është me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimit kundër jetës në një vend të BE-së.

Sipas policisë, Jonuzi, dyshohet se si pasojë e një konflikti  për motive të dobëta, ka hyrë në ambientet e brendshme të një zyre elektorale të një subjekti politik  dhe  ka plagosur me armë zjarri pistoletë në këmbë 27-vjeçarin Okshtuni. Mbështetësi i PD ndodhet në spitalin e Durrësit, ku po merr trajtim mjekësor.

Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po bën krehjen e zonës. Ndërkohë drejt Kavajës është nisur edhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha.


Shtuar 19.04.2021 20:32

Tags: , ,