Plagoset 42-vjeçari në Tiranë/ Autori ende i paidentifikuar, zbardhet dëshmia e të lënduarit

Pak momente më parë, një plagosje me thikë është regjistruar në Tiranë. Policia ka njoftuar se i plagosur është një 42-vjeçar, i cili është paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore në urgjencën e QSUT.

Gjendja e tij raportohet jashtë rrezikut për jetën.

Sipas deklarimit të 42-vjeçarit, në afërsi të spitaleve, një person i panjohur e ka goditur me thikë në këmbë dhe më pas është larguar.

I plagosuri është shprehur se nuk ka arritur që të shikojë se kush e ka qëlluar me thikë, duke e plagosur në këmbë.

Sipas tij, nuk e ka identifikuar autorin dhe as vendin e ngjarjes, duke shprehur se nuk e mban mend. I plagosuri dyshohet si përdorues i lëndëve narkotike.

“Më datë 23.09.2024, në urgjencën e QSUT-së është paraqitur për ndihmë mjekësore dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, shtetasi G. S., 42-vjeç, banues në Shkozë, i dëmtuar në këmbë, dyshohet me mjet prerës”, njofton policia.

Policia po punon për identifikimin e autorit.


Shtuar 23.09.2024 12:25