Pjesë e skemave falsifikuese me drejtorin e postës, bie në pranga 39-vjeçari i shpallur në kërkim

Policia e Korçës ka arrestuar një 39-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Kontrata”, ku disa muaj më parë u vu në pranga edhe Ish-drejtori i degës së Postës në Korçë, Valter Gora.

Operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale ne fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës u finalizua 3 muaj më parë. Ndërkohë sot është bërë i mundur arrestimi i 39-vjeçarit, Sokol Mullaj.

“Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim S. M., 39 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 06.07.2021, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në​ burg” për veprën penale​ “Falsifikimi i dokumenteve”, në lidhje me ngjarjen e datës 14.07.2021, ku u finalizua operacioni “Kontrata”, si rezultat i të cilit u ndalua ish-drejtori dhe një punonjës i Postës Korçë dhe u morën masa shtrënguese ndaj disa punonjësve të tjerë. Veprimet e mëtejshme u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, të cilët referuan materialet pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë”, thuhet në njoftimin e policisë.

SKEMA

Tre muaj me pare u arrestua ish-drejtori i degës së Postës në Korçë, Valter Gora dhe ish-specialisti i sigurisë pranë Postës së Korçës, Albano Bibo. Sipas të dhënave nga hetimi disamujor, dy të arrestuarit gjatë kohës që kanë qenë në detyrë kanë falsifikuar kontrata qiramarrjeje për ambiente të cilat do të përdoreshin nga Posta Shqiptare në filialet Korçë, Maliq dhe Pogradec.

Skema e përdorur ka të bëjë me  pronësinë e këtyre ambienteve, të cilat në fakt ishin  të ish–drejtorit, por që përmes falsifikimit të dokumenteve,  janë kaluar në emër të një per- soni tjetër në mënyrë që të  mund të shmangej konflikti i interesit dhe që të ardhurat t’i përfitonte përsëri Valter Gora, por pa u ekspozuar emri i tij në dokumentacion. Valter Gora kishte 2 ambiente në Pogradec për të lëshuar me qira. Ai bashkë me Sokol M. kishin falsifikuar dokumentet sikur ishte ky i fundit pronari i ambienteve. Përfitimi i tij nga kjo skemë ka qenë 235 milionë lekë të vjetër, të siguruara në formë paradhënieje  nga fondet e institucionit, shkruan panorama.

Për të realizuar këtë skemë janë dashur ndërhyrje edhe në dokumentacionin e Postës, ku duket se përveç drejtorit dhe specialistit të sigurisë janë përfshirë edhe 7 punonjës.  Ndaj tyre Gjykata ka vendosur masë shtrënguese  “Ndalim i daljes jashtë sh- tetit”, përkatësisht për punonjësen Adriana Koxheri, 59  vjeçe, me detyrë përgjegjëse e  shërbimeve pranë Postës Shqiptare, Korçë; Kamela Myrte,  28 vjeçe, me detyrë llogaritare  e parë; Anila Koroveshi, 53 vjeçe, specialiste shërbimesh; Bardhyl Pane, 66 vjeç, agjent kontrolli; Elona Galo, 34 vjeçe, përgjegjëse pranë Postës Shqiptare Dega Po- gradec; Bledian Çoçka, 45  vjeç, banues në fshatin Podgorie, me detyrë punonjës  shërbimesh pranë Postës Shqiptare Maliq; Ermira Morava, 32 vjeçe, banuese në Korçë, me detyrë shefe e financës pranë Postës Shqiptare Dega Korçë.


Shtuar 19.10.2021 13:15