“Peshku i vogël bëhet i madh”, Manja: Të bëhemi bashkë në luftër kundër korrupsionit

Në ditën ndërkombëtare anti-korrupsion, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ka kërkuar që të gjithë të bëhemi bashkë në luftë në këtë luftë.

Manja shkruan se peshku i vogël rritet e bëhet i madh, ndaj duhet frenuar që kur është cironkë.

“Bindja ime është e palëkundur: Ata që i lidh me njëri-tjetrin korrupsioni, nuk janë atdhetarë. Mund të bërtasin sa të duan në FB, apo në stadium, të bëjnë shqiponjën, a të grinden për nacionalizma, janë hipokritë që i bëjnë dëm vendit.

Lufta ndaj korrupsionit nuk ka përjashtime, nuk ka solidaritet miqësor, fisnor a partiak, ndryshe je bashkëpunëtor. Secili prej nesh ka betejën e tij, në këtë luftë të madhe për të frenuar këtë virus dhe vaksina e vetme është dashuria për vendin duke denoncuar çdo formë abuzimi.

Indiferenca ndaj korrupsionit është bashkëpunëtorja më e madhe e tij. Është mbulesa ku rrinë ngrohtë ata që gërryejnë rrënjët e vendit, edhe “të tuat” miku im që po lexon, sepse pavarësisht sa i ndershëm je, në pasaportën tënde që lexon “shqiptar” ke si damkë leximi “i korruptuar”, pikërisht për shkak të raporteve që vijnë edhe indiferenca shumëvjeçare.

Korrupsioni nuk është i madh, apo i vogël, nuk matet me peshë a me shifra. Është i njëjtë dhe dëmin e bën po njësoj, vetëm se do pak kohë që ai peshku i vogël të rritet e të bëhet i madh. Ndaj duhet frenuar që kur është cironkë.

Le të bëhemi bashkë, në këtë luftë; Kemi një nga mbështetjet më të fuqishme SHBA-të, kemi gazetarë të përgatitur dhe të aftë, kemi të rinj që duan me zemër të shnjollosin emrin e Shqipërisë, prandaj pak guxim qytetar për të mos lejuar askënd të abuzojë, apo më mirë të guxojë të abuzojë.

Kështu i shërbejmë vendit. Kështu i shërbejmë demokracisë. Kështu i shërbejmë të ardhmes.

Ulsi Manja, Ministër i Drejtësisë, Koordinator Kombëtar kundër korrupsionit”, shkruan Manja./albeu.com


Shtuar 9.12.2021 09:01