Përshkallëzohet konflikti/ SHBA bombardon objektet bërthamore të Iranit

Presidenti Donald Trump, tha se ushtria amerikane goditi tre objekte bërthamore iraniane, teksa Shtetet e Bashkuara u përfshinë në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, duke rritur frikën për një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Trump njoftoi për “sukses spektakolar ushtarak” më 21 qershor, duke thënë se bombarduesit amerikanë goditën objektet bërthamore në Fordo, Natanz dhe Esfahan, gjatë një përpjekjeje të përbashkët me Izraelin për të shkatërruar programin bërthamor të Iranit, pasi diplomacia dështoi ta kthente Teheranin në tavolinën e negociatave.

“Të gjithë i kanë dëgjuar këto emra për vite të tëra, teksa ata ndërtuan këtë ndërmarrje jashtëzakonisht shkatërruese”, tha Trump gjatë një fjalimi drejtuar kombit nga Shtëpia e Bardhë.

“Qëllimi ynë ishte shkatërrimi i kapacitetit të Iranit për pasurim të uraniumit dhe ndalimi i kërcënimit bërthamor që paraqet sponsori numër një shtetëror i terrorizmit në botë”.

Trump, i cili vetëm dy ditë më parë tha se do të vendoste “brenda dy javësh” nëse do t’i bashkohej Izraelit në përpjekjet e tij për të shkatërruar objektet bërthamore iraniane, pretendoi se sulmet “shkatërruan plotësisht” objektet kyç të Iranit për pasurim të uraniumit.

“Irani, bullizuesi i Lindjes së Mesme, tani duhet të bëjë paqe. Nëse nuk bën, sulmi i ardhshëm do të jetë shumë më i madh dhe shumë më i lehtë”, tha Trump.

E ardhmja e Iranit, sipas presidentit amerikan, “ose ka paqe ose tragjedi”, duke shtuar se në Iran ka ende shumë caqe që mund të goditen.

“Nëse paqja nuk vjen shpejt, ne do t’i godasim caqet e tjera me precizitet”, tha ai, duke falënderuar ushtrinë izraelite dhe atë amerikane për realizimin e operacionit.

“Shpresoj të mos kemi më nevojë për shërbimet e tyre në këtë kapacitet. Shpresoj shumë”, u shpreh Trump, duke folur nga Shtëpia e Bardhë, teksa prapa tij gjendeshin nënpresidenti JD Vance, sekretari i Shtetit, Marco Rubio dhe ai i Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Transmetuesi publik izraelit, KAN, citoi një zyrtar izraelit të ketë thënë se sulmet u kryen në koordinim të plotë me Uashingtonin.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e uroi Trumpin për sulmet “e guximshme” të SHBA-së, duke e quajtur sulmin një moment historik që mund ta çojë Lindjen e Mesme drejt paqes.

“Urime president Trump. Vendimi juaj i guximshëm për të goditur objektet bërthamore të Iranit me fuqinë e jashtëzakonshme dhe të drejtë të SHBA-së do ta ndryshojë historinë”, tha Netanyahu përmes një video-adresimi.

Presidenti Trump dhe unë shpesh themi: paqja vjen përmes forcës. Së pari vjen forca, pastaj paqja”, shtoi ai.

Senatori amerikan, republikani nga Karolina e Jugut, Lindsey Graham, gjithashtu e mirëpriti sulmin.

“Kjo ishte vendimi i duhur. Regjimi e meriton. Të lumtë, president Trump”, shkroi Graham në X.

Por, jo të gjithë e mirëpritën sulmin.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se ishte “thellësisht i alarmuar” nga përshkallëzimi.

“Ekziston një rrezik në rritje që ky konflikt të dalë shpejt jashtë kontrollit, me pasoja katastrofike për civilët, rajonin dhe botën”, tha Guterres.

Vendimi për të goditur Iranin, mund të jetë politikisht i rrezikshëm për Trumpin, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale vitin e kaluar me premtimin që të mbajë SHBA-në jashtë konflikteve të huaja.

Disa anëtarë të koalicionit të tij, Ta Bëjmë Amerikën Madhështore Sërish, e kanë këshilluar Trumpin që të mos përfshijë drejtpërdrejt ushtrinë amerikan në sulme ndaj Iranit./ REL


Shtuar 22.06.2025 07:51