Përsëritja e zgjedhjeve në Rrogozhinë, Berisha: Vendosi kutia e burgut, kandidatit tonë iu mohua mandati

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar në lidhje me vendimin e Kolegjit Zgjedhor për përseritjen e zgjedhjeve locale të 14 majit.

Ai ka thënë se kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” iu mohua mandati, pasi diferencën në këtë bashki e bëri kutia e votave të burgut.

Ndër të tjera Berisha tha se burgu u mbush 5 ditë më para me transferime, në mënyrë që të krijohej diferenca.

“Defakto ju mohua mandati atij që i takonte me këtë vendim, sepse diferencën aty e bënte kutia e burgut, qendra e votimit në të cilin ishte ngritur pa asnjë vendim ligjor, të bazuar në ligjin dhe rregullat e ngritjes së qendrave të votimit. Ngritja e kësaj qendre votimi u bë me bashkëpunimin mes kriminelit elektoral Ulsi Manja dhe kriminelit tjetër elektoral drejtorit të burgut, që është vjehrri i kandidatit të Rrogozhinës. Ky burg, 5 ditë përpara ka pasur gjithsej 2 të burgosur dhe u mbush me transferime brenda javës që të krijohej diferenca. Në këtë kontekst çdo gjykatë e paanshme do të kishte vetëm një vendim, qendra e votimit është e paligjshme dhe nuk mund të përllogaritet se përndryshe hajde vendosim kutitë në rrugë dhe të votojmë. Ekzistojnë rregulla ligjore për ngritjen e qendrave të votimit. Me këtë vendim, ju mohua mandati që i takon opozitës”,  tha Berisha në Task Force.

Kujtojmë që Kolegji Zgjedhor pranoi ditën e sotme kërkesën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për të përsëritur zgjedhjet lokale të 14 majit në bashkinë e Rrogozhinës, të cilën e fitoi Partia Socialiste me 21 vota diferencë.

 


Shtuar 15.06.2023 19:53