Teksa ditën e sotme mbahen zgjedhjet në disa degë të Partisë Demokratike në Shqipëri, në Bulqizë, situata duket e tensionuar.
Përplasjet për listat e votuesve kanë shtyrë zgjedhjet për kryetarin e kësaj dege.
Shkak është bërë ankimi i dy kandidatëve Defrim Fiku dhe Fatos Hoxha për fryrje të listave me anëtarët e rinj të shtuar nga grupi i Rithemelimit.
Fillimisht u raportua se në listën e votuesve kanë qenë 1700 anëtarë, ndërsa së fundmi listës i janë shtuar edhe emra të rinj të anëtarësuar nga grupi i Rithemelimit duke e çuar listën në 2200 emra.
Kryetari i Komisionit Shkëlqim Tançi pretendon se në listën e ardhur nga Tirana ka emra të cilët janë pjesë e administratës Socialiste të Bashkisë Bulqizë.
Zgjedhja e kryetarëve të rinj është nismë e grupit të Rithemelimit që drejtohet nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe që është kundërshtuar nga grupi tjetër që mbështet Enkelejd Alibeajn.