Janë zhvilluar dy mbledhje deri më tan inga Këshilli Bashkiak i Vlorës, për t’u ballafaquar me kryebashkiakun Dritan Leli në lidhje me pakënaqësitë që ata kanë.
Në mbledhjen e parë Lili nuk u paraqit, ndërsa në mbledhjen e dytë vetëm online, por as kjo nuk u zhvillua pasi këshilltarët nuk pranonin një ballafaqim përmes platformës online “Zoom”.
Në funksion të mbledhjes së njoftuar të Këshillit Bashkiak të Vlorës për ditën e sotme, Sekretari i Këshillit Agron Gjipali ka komunikuar me përfaqësuesit e lartë të Ministrisë së Shëndetësisë. Gjipali ka kërkuar një konfirmim mbi ligjshmërinë e realizimit të mbledhjes fizike në sallën e teatrit “Petro Marko”.
Në përgjigjen e saj, zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli konfirmon se mbledhja mund të mbahet fizikisht.
“Përsa i përket Urdhërit të Ministres së Shëndetësisë ‘Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo te hapura’ qëllimi ka qenë ndalimi i grumbullimeve të posaçme, që sikundër përmendet në urdhër lidhet me tubimet, konferencat, mbledhjet partiake, ceremonitë festive etj. ku rreziku i trasmetimit të virusit është shumë i lartë. Përsa më sipër ky urdhër nuk cënon aktivitetin e Këshillit Bashkiak, pasi zhvillimi i mbledhjeve është vijimësi e punës së Këshillit Bashkiak, një praktikë që përdoret edhe nga institucione të tjera që punën e tyre e mbështesin mbi organe kolegjiale. Sot Vlora paraqet një situatë epidemiologjike të mirë, pa asnjë rast Covid. Sigurisht, këto mbledhje duhet të zhvillohen në përputhje me protokollet anti-Covid të miratuara si respektimi i distances, mbajtja e maskes, kushtet higjenosanitare etj.”, shkruan Rakacolli në përgjigjen për Gjipalin./albeu.com