Në një intervistë për Fox News, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se nuk ndjen se ka nevojë t’i kërkojë falje presidentit të SHBA-së, Donald Trump, pas një përplasje të ashpër në Shtëpinë e Bardhë.
“Jo, unë respektoj presidentin dhe respektoj popullin amerikan, mendoj se ne duhet të jemi shumë të hapur dhe shumë të sinqertë. Nuk jam i sigurt nëse bëmë diçka të keqe. Mendoj se disa gjëra duhet t’i diskutojmë jashtë mediave, me gjithë respektin për demokracinë dhe mediat e lira”, tha presidenti i Ukrainës.
Volodymyr Zelensky, shtoi se marrëdhënia e tij me SHBA-në mund të riparohet ende pas shkëmbimeve të ashpra me Donald Trump dhe JD Vance në Shtëpinë e Bardhë.
“Do të jetë e vështirë pa mbështetjen tuaj”, tha Zelensky në Fox.
Presidenti Trump, u tha gazetarëve më vonë të premten se Zelensky po “tepron” dhe duhet të pranojë të mbyllë luftën “menjëherë”.