Përplasja e anijeve në Detin e Veriut, ndërpriten kërkimet për 4 të zhdukurit

Shërbimet gjermane të shpëtimit njoftuan sot përfundimin e kërkimeve në Detin e Veriut në zonën ku një anije mallrash u mbyt pasi u përplas me një anije tjetër.

Një person humbi jetën, dy u shpëtuan dhe 4 rezultojnë të zhdukur.

Kërkimi për marinarët “u pezullua gjatë natës të martën deri të mërkurën” dhe “nuk do të rifillojë” sot, tha në një deklaratë Shërbimi Gjerman i Shpëtimit Detar (DGzRS).

Gjatë natës, shumë automjete, varka dhe helikopterë, kanë kontrolluar “tërësisht” zonën detare të mbytjes, por ky operacion, në kushte të vështira atmosferike, “nuk ka dhënë asnjë rezultat”, sipas të njëjtit burim.

Lexo edhe: Përplasen dy anije mallrash në Detin e Veriut, një i vdekur dhe katër të zhdukur

Herët në mëngjes dje, dy anije mallrash janë përplasur në brigjet gjermane, 22 km në jugperëndim të ishullit Helgoland, për arsye ende të paqarta.

Përplasja rezultoi në fundosjen e njërës prej dy anijeve, e cila kishte një ekuipazh prej shtatë personash. Dy persona u shpëtuan dhe një u gjet i vdekur. Ende nuk dihet fati i katër personave.

Krahas kërkimeve në sipërfaqe, zhytësit kanë kontrolluar edhe ditën e djeshme anijen e mbytur pa i gjetur personat e zhdukur.

“Verity” , 91 metra i gjatë dhe që mbante një flamur britanik, u mbyt në rreth 30 metra. Ai ishte i ngarkuar me çelik dhe kishte rreth 1300 metra kub karburant.

“Verity” po lundronte nga Bremeni dhe nisej për në qytetin anglez të Immingham.
/Albeu.com


Shtuar 25.10.2023 11:24