Përplasi qëllimisht kunatin pasi i ndau motrën, i riu rrezikon 35 vite burg

Janë mbyllur hetimet për ngjarjen e rëndë në Lezhë ku u vra nga kunati shtetasi Ylli Mena me origjinë nga Puka, pas divorcit të viktimës me motrën e autorit.

Një divorc i ndodhur mes një çifti është bërë shkak i vrasjes së Ylli Menës, të riut me origjinë nga Puka me banim në fshatin Barbullojë të Lezhës, ngjarje e ndodhur në shtator të vitit 2019 në Ishull-Lezhë.

Prokuroria ka mbyllur hetimet në lidhje me ngjarjen dhe ka dërguar për gjykim dosjen me 1 person të pandehur. Ai është shtetasi Albert Kaça 32-vjeç, i cili rezulton të jetë ish-kunati i viktimës Ylli Mena.

Ndaj 32-vjeçarit nga Mamurrasi është ngritur akuza e “Vrasjes së kryer brenda rrethit familjar”, vepër kjo që parashikon një dënim nga 35 vite burgim, deri në burgim të përjetshëm.

Sipas dosjes hetimore është provuar se Ylli Mena është përplasur me automjet për vdekje me dashje nga ish-kunati i tij, pasi ata kishin pasur konflikte mes njëri-tjetrit dhe gjatë viti 2019 marrëdhënia mes tyre ishte përkeqësuar edhe më shumë, kjo për faktin se viktima kishte vendosur ta divorconte motrën e autorit të ngjarjes.

27-vjeçari Ylli Mena u përplas nga një automjet, teksa po lëvizte me biçikletë në Ishull-Lezhë. Ai mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë disa orë pas ngjarjes në Spitalin e Traumës në Tiranë. Fillimisht, u raportua për aksident, por më pas gjithçka u zbardh dhe rezultoi se aksidenti kishte qenë i qëllimshëm.

 

 


Shtuar 22.04.2021 15:23